Vazhdojnë bisedimet Shqipëri – BE

Tiranë, 15 mars 2004 – Raundi i gjashtë teknik i negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian rreth nënshkrimit të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit do vazhdojë sot në Tiranë, njofton Gazeta Shqiptare. Ermelinda Meksi ka thënë kohë më parë për këtë gazetë, se kapitulli që do të negociohet parashikon bashkëpunimin dhe forcimin e lidhjeve ekonomike me interes reciprok ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë për një zhvillim të qëndrueshëm. Shqipëria nga ana e saj synon hartimin e këtyre politikave në mënyrë të tillë që të sigurojnë zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, duke balancuar në të njëjtën kohë interesat mjedisore. Në këtë raund do të negociohet kapitulli 8 i projekt-marrëveshjes, “Politikat e Bashkëpunimit”. Për herë të parë në axhendën e negociatave përfshihen një numër i konsiderueshëm nenesh, gjithsej 25, gjë që tregon se hapat e hedhur deri tani nga Shqipëria drejt nënshkrimit të MSA-së janë të konsiderueshëm, njofton më tutje “Gazeta Shqiptare”.

Sipas Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e qeverisë së Shqipërisë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian do të bisedojnë edhe rreth disa çështjeve të tjera siç janë siguria, shërbimet financiare, doganat e të tjera.

ECIKS