Kosovë: pritet nënshkrimi i MTL-së edhe me Maqedoninë

Prishtinë, 13 mars 2004 – Bashkëpunimi midis biznesmenëve kosovarë dhe atyre maqedonas do të intensifikohet, mirëpo për këtë nevojitet urgjentisht nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë, u tha në Prishtinë gjatë një takimi ndërmjet biznesmenëve kosovarë dhe atyre maqedonas.

Me organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odës Ekonomike Maqedonase (OEM) të enjten në Prishtinë janë takuar afaristët nga dy vendet.

Stojmirka Tasevska, përfaqësuese e OEM, tha se për integrim në Evropë duhet që bashkëpunimi midis këtyre dy vendeve të ngrihet në nivel më të lartë.

“Na duhet një bashkëpunim duke e ditur se mallrat që importohen prej vendeve më të largëta janë shumë më të shtrenjta derisa bashkëpunimi me rajonin është shumë më i mirë dhe më i lirë”, – tha Tasevska.

Mustafë Ibrahimi, nënkryetari i OEK-ut, tha se bashkëpunimi midis OEK dhe OEM-it është në nivel të lartë dhe marrëdhëniet me këtë vend janë duke u përmirësuar dukshëm.
Sipas Ibrahimit, problemet kryesore të bashkëpunimit ekonomik me Maqedoninë janë në aplikimin e doganave për produktet kosovare. “Kemi kërkuar nga qeveria maqedonase që urgjentisht të fillojnë negociatat për MTL-në me Kosovën dhe presim qe deri ne fund të këtij viti gjithsesi të realizohet kjo”, – tha ai.

Biznesmenët maqedonas prezantuan në OEK edhe disa prodhime bujqësore, si ato të qumështit, prodhimet e pemëve dhe perimeve, mishit etj.

Mallrat me origjinë kosovare nuk i nënshtrohen doganës, por autoritetet maqedonase krijojnë probleme sepse për ta konsideruar një mall “Made in Kosova”, duhet ta ketë mbi 51 për qind origjinën nga Kosova.

Për mallrat maqedonase që eksportohen në Kosovë paguhet vetëm një për qind doganë, ndërsa për mallrat kosovare që shkojnë në Maqedoni paguhet rreth 26 për qind doganë.
Nga 1 tetori i vitit të kaluar ka filluar të zbatohet vetëm marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ku me anë të saj 50 për qind e mallrave që tregtohen ndërmjet dy vendeve nuk do të ngarkohen me taksë doganore.

ECIKS / Biznesi