Vala me produkte të reja

Prishtinë, 17 prill 2007 – Operatori i telefonisë mobile Vala, njësi e Postës dhe Telekomit të Kosovës, ka hedhur në treg kartelat ri-mbushëse të profilit 50 euro me çmim prej vetëm 43 euro dhe kartelat mbushëse dhe mbushjet elektronike të profilit 40 euro me çmim prej vetëm 36 euro. Ndërsa Vala ka njoftuar se produkti i hedhur në fund të muajit mars, mbushje elektronike të profilit 50 euro me çmim prej 43 euro, do të vazhdojë të gjendet në treg për konsumatorët deri në një informim të ardhshëm. “Produktet e ofruara do të kenë edhe afatin e vlefshmërisë e që janë me sa vijon: për numrat aktivë (numrat që mund të bëjnë dhe pranojnë thirrje) 360 ditë, numrat joaktivë (numrat që vetëm mund të pranojnë thirrje) 14 ditë, ndërsa pas këtij afati numri kalon në status pasiv (numrat që nuk mund as të realizojnë e as të pranojnë thirrje)”, njofton Vala përmes një komunikate për media.

Kohëzgjatja e statusit pasiv është 0 ditë, që do të thotë se numri automatikisht fshihet nga sistemi dhe se consumatori e humb numrin. Kartelat mbushëse të këtyre dy profileve do të gjenden në të gjitha pikat shitëse të PTK-së, ndërsa profilet përmes mbushjeve elektronike (Top up electronic), do të mund të gjenden në të gjitha pikat shitëse që ofrojnë këtë shërbim, e që do të thotë vetëm në pikat shitëse qendrore nëpër qendrat e Kosovës.

ECIKS / Gazeta Express