Financimi i autostradës afër kompletimit

TIRANË, 15 PRILL 2007 – Hidhet hapi final për përmbylljen e procesit të financimit të plotë të ndërtimit të autostradës Durrës – Kukës – Morin. Një organizëm mjaft i fuqishëm financiar, siç është Banka Islamike për Zhvillim, u bashkëngjitet partnerëve të tjerë ndërkombëtarë dhe Qeverisë shqiptare që po financojnë ndërtimin e autostradës Durrës- Kukës-Morin.

Është nënshkruar të shtunën në Tiranë marrëveshja për akordimin e fondit prej 35 milionë USD që do të përdoren për ndërtimin e segmentit rrugor Kalimash-Rexhepaj, pjesë e autostradës Durrës-Kukës- Morin. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Ministri i Transporteve të Shqipërisë, Lulëzim Basha, dhe përfaqësuesi i Bankës Islamike për Zhvillim, Faruk Miami.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje për nga pikëpamja e organizimit të projektit përmbyllet problemi i financimit të autostradës Milot-Kukës-Morin. Ndërtimi i aksit rrugor Fushë- Dukagjin-Rexhepaj pritet të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të vitit 2009, megjithëse segmenti Rexhepaj-Myç-Mamëz mund të përfundojë brenda vitit 2008, pasi ky segment është financuar në një farë mase nga buxheti i shtetit shqiptar.

Gjashtë segmentet
E gjithë autostrada Durrës- Kukës-Morinë, prej 175 kilometrash (përfshirë edhe tunelin 5,65 kilometra) është ndarë në 6 segmente:

– Segmenti i parë, Durrës-Vorë-Fushë-Krujë- Milot ka një gjatësi prej 59 kilometrash, konsiderohet ekzistuese dhe pjesë e Korridorit Veri-Jug dhe Lindje- Perëndim (Korridori VIII).

– Segmenti i dytë, Milot-Rrëshen, ka një gjatësi prej 26 kilometra dhe kushton rreth 28 milionë dollarë. Investimi për këtë aks do të financohet nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare.

– Segmenti i tretë,Rrëshen- Reps, ka një gjatësi prej 19,5 kilometër.

– Segmenti i katërt, Reps-Thirrë, ka një gjatësi prej 27 kilometrash.

– Segmenti i pestë Thirrë- Kalimash (rezervuari i Fushë- Dukagjinit), ka një gjatësi prej 13 kilometrash.

– Segmenti i fundit Fushë-Dukagjin- Kukës-Morin ka një gjatësi prej 30 kilometra dhe do të kushtojë rreth 60 milionë dollarë.

Urat
Janë 35 ura, të cilat do të lidhin zinxhir komplet rrugën nga qyteti bregdetar i Durrësit, duke përshkuar katër qytet e tjera deri në kufirin me Kosovën që është Morini.

Tuneli
Në autostradën Rrëshen- Kalimash, prej 60,85 kilometrash, bën pjesë edhe tuneli i ri, pjesa më e vështirë e kësaj vepre inxhinierike. Tuneli mes për mes Thirrë-Kalimashit do të jetë me 4 korsi kalimi.

Vlera e projektit
Vlera e projektit 400 milionë euro do të arrijë të përfundojë këtë projekt infrastrukturor ndër më gjigantët dhe më të rëndësishmit në Shqipëri. Sipas drejtuesve të këtij projekti, përfundimi i autostradës parashikohet në korrik të vitit 2009.

ECIKS / Koha Ditore