UNMIK planifikon ndërtimin e një centrali elektrik

Prishtinë, 04 gusht 2004 – UNMIK-u publikoi dje planet për ndërtimin e një centrali elektrik dhe një miniere linjiti në Kosovë. Synimi është përmbushja në të ardhmen e kërkesave të brendshme, industriale dhe të eksporteve në Kosovë. “Kosova duhet të shfrytëzojë asetin e saj parësor natyror: sasitë e mëdha të linjitit, që është i cilësisë më të mirë në Evropë. Ky aset duhet të shfrytëzohet për të tërhequr investimet dhe për të hapur fronte të reja pune”, bëri të ditur UNMIK-u nëpërmjet një deklarate. Planifikimi dhe tenderimi për një projekt të tillë do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, theksoi UNMIK-u. Shefi ekonomik i OKB-së në Kosovë, Nikolaus Lambsdorff, pranoi se ekzistonin disa “çështje teknike dhe ligjore”, që nevojitej të diskutoheshin përpara nisjes së tenderit për projektin në fjalë. Këtu përfshihej miratimi i një ligji për energjitikën dhe i një rregulloreje, ku i lejohet misionit të UNMIK-ut dhënia e licensave për hapjen e minierave. Përllogaritja e përgjithshme e burimeve ekonomike të shfrytëzueshme në Kosovë është afërsisht 10 000 mega tonë, që përfaqëson shifrën më të lartë dhe burimet më të favorshme të linjitit në Evropë .

ECIKS / RTK