Mobikos / Mobitel: do t'i mbrojmë interesat tona

Prishtinë, 05 gusht 2004 – Kompania sllovene e telefonisë mobile, Mobitel, e cila ishte shpallur fituese e tenderit të operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, bashkë me kompaninë kosovare Mobikos, paralajmëroi se do t’i mbrojë interesat e veta, me të gjitha mjetet ligjore. “Hapat e ardhshëm afaristë që do t’i ndërmerrë Mobiteli varen nga Qeveria e Kosovës. Nëse tenderi do të anulohet, Mobiteli do t’i mbrojë interesat e veta me të gjitha mjetet ligjore, sepse Kosova është një treg që premton dhe Mobiteli e trajton këtë treg seriozisht”, thuhet në njoftimin e kompanisë sllovene Mobitel. Në njoftimin e Mobitelit thuhet se kjo kompani, së bashku me partnerin kosovar, Mobikos, është paraqitur në tenderin ndërkombëtar për operaterin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë me një ofertë cilësore dhe kujtohet se zgjedhja e ngushtë e ofertuesve është bërë në bazë të vlerësimit profesional të komisionit të posaçëm të ndërmarrjes Price Waterhouse Coopers. Mobitel shpreh bindjen se oferta e tyre është më e mira dhe është përgatitur duke i respektuar plotësisht kushtet e tenderit, ndërsa nuk është në situatë të komentojë parregullsitë dhe gabimet eventuale gjatë procesit të përzgjedhjes.

ECIKS / Balkanweb