Beogradi kundër ndërtimit të termocentralit në Kosovë

Prishtinë, 06 gusht 2004 – Kosova do të ketë së shpejti një termocentral të sajin si dhe një minierë linjiti, gjë që do t’i japë më shumë shanse ekonomisë së saj. Planet për ndërtimin e centralit elektrik dhe minierës së linjitit janë prezantuar pardje nga zyrtarët e UNMIK-ut, por kjo ka shkaktuar rritjen e tensioneve në Beograd. Sipas zyrtarëve serbë, Kosova është ende pjesë e territorit serb dhe qeveria serbe e konsideron pronë të saj pasurinë natyrore të Kosovës. Ndërkohë, zyrtarët e UNMIK-ut kanë deklaruar se kanë edhe mbështetjen e Bankës Botërore për këtë nismë. “Kosova duhet të shfrytëzojë asetin e saj parësor natyror: sasitë e mëdha të linjitit, që është i cilësisë më të mirë në Evropë. Ky aset duhet të shfrytëzohet për të tërhequr investimet dhe për të hapur fronte të reja pune”, bëri të ditur UNMIK-u nëpërmjet një deklarate. Planifikimi dhe tenderimi për një projekt të tillë do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes. Përllogaritja e burimeve ekonomike të shfrytëzueshme në Kosovë është rreth 10 000 mega tonë, shifra më e lartë dhe burimet më të favorshme të linjitit në Evropë.

ECIKS / RTK