Prishtinë, 22 prill 2005 – Kryeadministratori Soren Jessen Petersen, shpalli sot ndryshimin e Rregullores së Agjencisë Kosovar të Mirëbesimit. Me këtë, procesi do të ec shumë më shpejt përpara, pasi që ndërmarrjet shoqërore do të mund të privatizohen pa u marrë me përcaktimin e statusit apo të pronësisë së tyre.
“Ne kemi bërë sot një hap shumë të madh përpara, në procesin e privatizimit”, ishin fjalët e para të kryeadministratorit Petersen në konferencën për gazetarë bashkë me shefin e Shtyllës së Katërt, Joachim Rüecker dhe ministrin Bajram Kosumi.
“Për këtë ndryshim të rregullores së AKM-së është pritur një kohë e gjatë, por unë mund të ju siguroj se ne kemi punuar shumë për këtë. Unë do të falënderoja Joachim Rüecker dhe stafin e tij. Me këtë procesi do të ec shumë më shpejtë përpara”.
Petersen njoftoi se me këtë ndryshim nuk duhet të përcaktohet statusi apo pronësia e ndërmarrjes shoqërore para shitjes së saj. Mirëpo kjo nuk do të thotë se të drejtat e pronarëve nuk ruhen, por është e fuqizuar më shumë e drejta e pronarit. Në rregulloren më të re të AKM theksohen se të gjitha procedurat duhet të jenë në pajtim me konventën evropiane për të drejtat e njeriut, tha Petersen. Në raste të ankesave, përcaktimi i pronësisë do të shqyrtohet nga Oda e Veçantë.
Edhe kryeministri Kosumi u shpreh se rregullorja është një sukses i madh. Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Joachim Rüecker ndërkaq, theksoi se mbeten të përkushtuar të privatizojnë 90 për qind të vlerës së ndërmarrjeve shoqërore. Rüecker po ashtu tha se mandati i AKM-së me një klauzulë është zgjatur dhe ka kohë të mjaftueshme për t’i arritur synimet.
ECIKS / R. Kosova