Austriakët së shpejti blejnë edhe Mobtelin serb

Shtrirja e investitorëve austriak në regjionin e Ballkanit nuk ka të ndalur. Një konsorcium biznesmenësh austriakë dhe Telecom Austria janë të gatshëm të blejnë Mobtelin serb për rreth një miliardë euro, pasi kanë eliminuar nga loja konkurrentët rusë dhe islandezë.

Vjenë, 23 prill 2005, (ECIKS) – Pas blerjes së MobilTel-it bullgar nga Telekom Austria dhe të ndërmarrjes rumune për përpunimin e naftës „Petrom“ nga OMV e Austrisë, investitorët austriak duket se kanë vënë në shënjestër Mobtelin serb si një cak të ri në Evropën Juglindore, njofton në numrin e saj të fundjavës gazeta vjeneze Die Presse.

Konzorciumi i biznesmenëve austriak i përbërë nga Martin Schlaff, Josef Taus dhe Herbert Cordt planifikon të blejë gjatë ditëve të ardhshme Mobtelin serb, sqaron më tutje gazeta. Marrëveshja që pritet të arrihet së shpejti do të realizohet në dy faza. Në fazën e parë biznesmeni Schlaff dhe partnerët e tij do të blejnë hisen e Bogoljub Kariqit në këtë ndërmarrje, që duhet të jetë diku rreth 50 për qind e vlerës së përgjithshme. Ky hap pritet të realizohet javën që vjen, pasi që negociatat me familjen Kariq duket të kenë hyrë në fazën përfundimtare. Hisja tjetër e Mobtelit, që është në pronësi të shtetit serb, pritet të kalojë në duart e Telekom Austria diku pas rreth dy muaj më pas. Ekspertë financiarë austriak kanë thënë për mediat vendore se vlera e këtij investimi sillet në diku rreth një miliardë euro.

Investitorët austriak duket se kanë zgjedhur këtë model të blerjes në faza si më të përshtatshmin, për t’i anashkaluar kështu problemet disamujore në mes të Kariqit dhe shtetit serb lidhur me atë se kush e zotëron shumicën e aksioneve të kësaj kompanie. Kariq, i cili pohon të zotojë 56 për qind të Mobtelit ka paditur shtetin serb në një gjykatë arbitrazhi në Zürich dhe kërkon respektimin e raporteve pronësore. Shteti serb ka kundërshtuar njeriun më të pasur në Serbi, me arsyetimin se ai nuk e ka investuar tërë kapitalin e paraparë dhe kështu nuk ia ka njohur të drejtën atij që të ketë në pronësi shumicën e aksioneve të kësaj kompanie. Burime të gazetës vlerësojnë se ky kontest gjyqësor megjithatë do të shuhet së shpejti, që nga momenti i hyrjes së investitorëve austriak.

Interesimi i investitorëve austriak për Mobtelin nuk duket të ketë karakter spekulativ. Telekom Austria planifikon që bashkë me partnerët të investojë edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të Mobtelit serb.

Në garën për Mobtelin, që ka nisur këtë vit, fillimisht ishin të interesuar edhe ndërmarrja ruse “Sistema” dhe një fond i biznesmenëve islandez. “Sistema” megjithatë ishte tërhequr shumë shpejt, ndërsa Kariq kishte deklaruar se aksionet e veta ia kishte shitur ndërmarrjes ruse “Alpha Group” të miliarderit Michail Friedman. Mirëpo, biznesmeni austriak kishte qenë më bindës për Kariqin dhe kishin arritur të kthejë garën në dobi të vetën, vlerëson Die Presse.

Bogoljub Kariq, i cili pasurinë e tij e ka krijuar në kohën e diktatorit Millosheviq, ka vendosur të tërhiqet nga Mobteli, për shkak të ambicieve politike, vlerësohet më tutje.

Mobteli serb ka shtrirje edhe në Kosovë, ku përfaqësohet nga ndërmarrja Mobikos, kishin deklaruar kohë më parë për mediat kosovare përfaqësuesit e Mobikosit.

ECIKS