Prishtinë, 16 gusht 2005 – Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen-Petersen tha të hënën në Prishtinë se zhvillimet janë në rrugë të mbarë që përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës të fillojë gjatë muajve të ardhshëm.
Ai i bëri këto komente me të kthyer nga pushimet duke vlerësuar se zgjidhja e statusit të Kosovës do të ndihmonte edhe përmbushjen e proceseve të kthimit të personave të zhvendosur por edhe të vendosjes së lirisë së lëvizjes dhe sigurisë për komunitetet pakicë.
Ai e cilësoi si hap shumë të rëndësishëm vendimin e qeverisë së Kosovës për ndryshimet në planin për decentralizimin që sipas tij është dëshmi e përkushtimit të fuqishëm të saj. Ndryshimet në këtë plan u pasuan nga nënshkrimi i pesë urdhëresave ekzekutive për zbatimin e pilot komunave, nga ana e zëvendësit të tij Larry Rossin.
Jessen-Petersen shprehu keqardhjen që Beogradi zyrtar ka dështuar të shfrytëzojë rastin për t’u angazhuar në këtë proces.
ECIKS / KosovaLive