UNMIK: embargoja e Serbisë pozitive për Kosovën

PRISHTINË, 11 SHTATOR 2007 – Pas kërcënimeve serbe se ky shtet do të vendosë embargo ekonomike ndaj Kosovës në rast se kjo e fundit e shpall pavarsinë, shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Paul Acda, ka pohuar të martën se embargoja ekonomike e Serbisë ndaj Kosovës do të zbuste shkallën e kontrabandës në kufijtë me Serbinë, dhe se nuk do të ndikonte shumë në ekonominë kosovare, pasi që rreth 75 për qind e mallrave që importohen në Kosovë vijnë nga pika kufitare e Hanit të Elezit.

Acda është shprehur i bindur se administrata ndërkombëtarë do të ishte e lumtur nëse Serbia eventualisht vendos embargo ekonomike ndaj Kosovës, pasi, sipas tij, me vendosjen e saj, të paktën kufijtë do të kontrolloheshin më mirë. “Në këtë pjesë të kufirit të Kosovës me Serbinë kemi më shumë një kontrabandë të mallrave, andaj UNMIK-u do të ishte i lumtur nëse Serbia merr vendim për vendosjen e embargos, sepse se paku këto dukuri do të luftoheshin më shumë”, ka thënë Acda. Ai ka shpjeguar se mallrat që vijnë nga ky vend fqinjë janë kryesisht fruta të freskëta, të cilat do të siguroheshin nga vendet e tjera.

Lidhur me këtë shefi i Shtyllës së Katërt i ka sugjeruar Qeverisë së Serbisë që vendimin eventual për embargo ekonomike ndaj Kosovës ta shqyrtojë me kujdes, sepse nga ky vendim më së shumti do të dëmtoheshin pjesëtaret e komunitetit serb në veri të Kosovës. Gjithashtu Acda ka bërë publike se në raundet e ardhshme të privatizimit do të privatizohen 539 ndërmarrje të reja, në mesin e të cilave është edhe kompleksi turistik “Brezovica”, për privatizimin e së cilës UNMIK-u ka marrë dritën e gjelbër nga Zyra ligjore e OKB-së në Nju Jork.

Acda ka pohuar se privatizimi i këtij kompleksi do të bëhet para sezonit të sivjetmë dimëror, dhe se është i interesuar që investitorët të jenë nga jashtë dhe të mos ketë investime vetëm në shtigjet e skijimit, por edhe në hotele. “Sezoni dimëror do ta gjejë “Brezovicën” të privatizuar. Qëllimi i tërë kësaj është që të tërheqim investitorë nga jashtë, të cilët do të investonin jo vetëm në terrenet e skijimit, por edhe në hotelet tashmë të amortizuara”, ka thënë Acda.

Ai ka shtuar se nga procesi i deritanishëm i privatizimit në fondin e privatizimit janë grumbulluar rreth 331 milionë euro, kurse bëri të ditur se punëtorëve u janë ndarë rreth 15 milionë euro dhe është duke u punuar maksimalisht në hartimin e listave dhe ndarjen e mjeteve të punëtorëve edhe për ndërmarrjet e tjera. Gjithashtu ai ka paralajmëruar se që nga e mërkura do të fillojë punën edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli”, ku pritet që brenda një viti të prodhojë rreth 10 deri në 12 tonë nikel, çmimi i të cilit në bursën botërore është 49 mijë dollarë për ton. Sipas parashikimeve, vetëm nga eksporti i nikelit Kosova brenda një viti pritet të mbledhë të hyra deri në 500 milionë dollarë.

ECIKS / Koha Ditore