Rryma: reduktime të mëdha gjatë shtatorit

Prishtinë, 9 shtator 2007 – Premtimet e ministrit Ethem Çeku se do të ketë furnizim stabil me rrymë gjatë muajit të Ramazanit duket se janë të kota. Një zyrtar i lartë në KEK ka pranuar me kusht anonimiteti se kriza për rrymë do të vazhdojë deri në fund të muajit shtator. “Ka pak gjasa që një bllok i “Kosovës B” të kthehet në sistem pas njëzet shtatorit, por as kjo nuk është e sigurt”, i ka thënë ky zyrtar “Kohës Ditore”.Ndërkohë që aktualisht në funksion janë vetëm dy blloqe të “Kosovës A”.

“Aktualisht duke prodhuar janë dy blloqe të “Kosovës A” – blloku A 3 dhe ai A 4. Ndërsa gjatë orëve të pikut aktivizohet edhe Ujmani”, ka thënë të dielën zëdhënësja e Korporatës Energjetike, Donika Kadaj – Bujupi. Përpos kësaj, KEK-u është duke importuar 180 megavat-orë rrymë.

Sipas saj, aktualisht orari i reduktimeve për konsumatorët e kategorisë A është katër orë me rrymë e dy orë pa të, ndërsa konsumatorët e kategorive B dhe C do të kenë vetëm dy orë rrymë ndërsa katër orë pa rrymë. “Ka pasur edhe më shumë reduktime për këto dy kategori. Meqë gjatë natës së premte kanë rënë nga sistemi edhe blloqet A3 dhe A4 dhe ka pasur zero prodhim. Furnizimi krejtësisht ishte bërë nga importi.

Një ditë më parë, të shtunën, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës patën thënë se blloku A3 i termocentralit “Kosova A”, që si pasojë e një lidhjeje të shkurtër kishte dalë nga sistemi qysh të premten pritej të rikthehej në funksion brenda disa orëve. Ndërkaq, gjatë të shtunës reduktimet kanë qenë më të shkurtra për konsumatorët e kategorive B dhe C. KEK-u për konsumatorët e vet të kategorisë A ka siguruar energji elektrike 4 me të dhe 2 pa të, konsumatorët e kategorisë B dhe C gjatë ditës do të përballen me reduktime 3 orë me rrymë 3 pa të. Mirëpo, KEK-u edhe të shtunën pati paralajmëruar se gjatë orëve të pikut, orari i furnizimit me energji elektrike do të pësojë ndryshime, dhe në kuadër të këtij plani, për kategorinë B dhe C orari i furnizimit me rrymë do të jetë 2 në favor të dritës e 4 në atë të territ. Ndryshe, si pasojë e vjetërsisë dhe kushteve të eksploatimit të stabilimenteve në termocentralin “Kosova A”, të premten kanë rënë nga sistemi njësitë gjeneruese A3 dhe A4. Pas intervenimit të ekipeve të KEK-ut, njësia A4 është kthyer në funksion të premten, ndërsa blloku A3 është rikthyer në prodhim të shtunën.

ECIKS / Koha Ditore