Raporti thekson se edhe në tremujorin e dytë të vitit 2004 kryesisht vazhdon trendi i mëparshëm i rënies së zhvillimit ekonomik si dhe ngathtësia në shpenzimin e buxhetit të alokuar
Prishtinë, 3 dhjetor 2004 – Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, në raportin e fundit, të shtatin me radhë “Paralajmërimi i hershëm”, në pjesën ku flitet për ekonominë e Kosovës thotë se ekonomia e saj ka shënuar rënie gjatë këtij viti. Raporti thekson se edhe në tremujorin e dytë të vitit 2004 kryesisht vazhdon trendi i mëparshëm i rënies së zhvillimit ekonomik, si edhe ngathtësia në shpenzimin e buxhetit të alokuar. Pakësimi i ndihmave nga jashtë, deficiti i lartë tregtar, papunësia e lartë, pengesat në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore kanë qenë ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e ekonomisë kosovare. Në këto rrethana vështirë të pritet se do të realizohen projeksionet makroekonomike mbi rritjen e BPV-së prej 4 për qind.
Në bazë të gjendjes së përgjithshme të treguar gjatë këtij tremujori, deri në fund të vitit lëvizjet makroekonomike do të zhvillohen nën ndikimin e shpërpjesëtimeve ndërmjet GDP-së dhe konsumit; rënies e infuzionit financiar (donacionet dhe remitancat) me konsekuencat në rritje ekonomike etj. Raporti thotë se edhe investimet kanë rënë nga 2002 në 2004. Kjo sidomos ka të bëjë me zvogëlimin e investimeve nga donacionet, ku nga 159 milionë euro në 2002 në vetëm 74 milionë euro në 2004, ndërsa investimet private ende përbëjnë rreth 50 % të totalit.
Faktorët që kanë ndikuar në rënien ekonomike:
– rënia e ndihmës ndërkombëtare,
– deficiti i lartë tregtar dhe vartësia e madhe nga ndihmat ndërkombëtare,
– vonesat në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe në ristrukturimin e ndërmarrjeve publike,
– ambienti social i paqëndrueshëm dhe papunësia,
– përmirësimi shumë i ngadalshëm i mjedisit për investime.
ECIKS / Biznesi