Uji Dea depërton në tregun e BE-së

Kompania kosovare “Compact Group”, tashmë ka arritur që me ujin e saj natyral dhe mineral “Dea” të depërtojë në të gjitha tregjet e shteteve të Bashkimit Evropian, por edhe në vendet e tjera të botës, në shtetet arabe dhe ato aziatike.

Mustafë Shala, pronar i kompanisë “Compact Group”, duke prezantuar këtë sukses të kësaj kompanie ka thënë se uji “Dea” është i certifikuar nga ushtria amerikane për furnizim në të gjitha vendet e botës që kanë nevojë për ujë të pijshëm.

Shala tha se ka pesë vjet që rregullisht me ujin “Dea” i furnizon trupat e KFOR-it nga SHBA, Franca, Suedia, Austria, Finlanda etj. Me ujit Dea furnizohet edhe selia e KFOR-it në Prishtinë.

Sipas Shalës, kompania “Compact Group” është në përfundim të nënshkrimit të kontratës edhe me Egjiptin, shtet ky i cili i ka parë të gjitha analizat e ujit që ka kualitet të lartë e të shëndetshëm.

“Egjipti është befasuar kur ka dëgjuar për ujin “Dea” dhe ka parë perlën e natyrës në Zhegoc që ka përmasa kombëtare”, është shprehur Shala.

Ai ka nënvizuar se ky sukses për të depërtuar në tregjet evropiane ka ardh për shkak se uji “Dea” i përmbush standardet botërore.

“Me ujin ‘Dea’ ka një kohë të gjatë që jemi duke e furnizuar Zvicrën, e cila është e njohur për kriteret rigoroze”, ka thënë Shala.

“Ne kemi kërkesa të shumta që të eksportojmë në vendet e Bashkimit Evropian, por jemi në fazën e shtimit të kapaciteteve dhe të investimeve, dhe do të vazhdojmë të eksportojmë edhe më shumë në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Kompania “Compact Group” aktualisht ka të punësuar mbi 160 punëtorë.