Sot, në mediat botërore u bë shpallja e thirrjes për parakualifikim për kompanitë interesuara për privatizimin e 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Kriteret për parakualifikim janë miratuar ditën e premte, me 22 qershor 2012, në mbledhjen e rregullt të Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP).
Kriteret për parakualifikim të miratuara nga KQP, janë përgatitur pas procesit të analizimit të tregut të telekomit dhe interesimit të investitorëve potencial.
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së konsideron se kriteret e miratuara të parakulifikimit janë në pajtueshmëri të plotë me objektivat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për një proces transparent dhe konkurrent të privatizimit të PTK-së dhe zhvillim të sektorit të telekomit në Kosovë, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.
Përmes këtyre kritereve, KQP dëshiron t’i identifikojë operatorët e telekomit dhe investitorët financiar të cilët kanë eksperiencë në sektorin e telekomunikacionit dhe të cilët kanë kapacitet të mjaftueshëm financiar, teknik, menaxherial dhe organizativ për menaxhim të suksesshëm të Kompanisë.
KQP dhe këshilltari i transaksionit konsiderojnë se kriteret miratuara për parakualifikim do të mundësojnë konkurrencë të mirë dhe trajtim të barabartë të investitorëve potencial.
/Koha/