U nënshkrua kontrata kolektive

Prishtinë, 20 shtator 2004 – Pas punës njëvjeçare rreth përpilimit të kontratës kolektive dhe divergjencave të shumta rreth këtij procesi më në fund sot në mënyrë solemne u nënshkrua ky akt, i cili nga nënshkruesit u quajt madhor për Kosovën. Palët që kanë nënshkruar kontraten kolektive ka qenë i autorizuari nga Qeveria, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Ahmet Isufi, Ismajl Kastrati, kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës dhe kryetari i BSPK-së, Bahri Shabani. Gjatë nënshkrimit të këtij akti ishte i pranishëm edhe kryeministri Bajram Rexepi, i cila ka përshendetur nënshkrimin e kontratës kolektive dhe ka kërkuar që të respektohet dhe implementohet nga të gjitha institucionet e Kosovës. “Kjo është një rrugë e drejtë edhe për tejkalimin e trazirave sociale dhe është primar që të bëhet sa më shpejt implementimi i saj”, është shprehur Rexhepi.

Ministri Ahmet Isufi tha se nënshkrimi i kontratës kolektive është “akt madhor për avancimin e qytetarëve së Kosovës”.

Ndërkaq anëtari i BSPK-së, Sherif Fejzullahu në një prononcim tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje kolektive për punëtorët e Kosovës, si partner social me Qeverinë dhe Odën Ekonomike të Kosovës, “është një akt historik, për arsye se përfitojnë të gjithë punëtorët, anëtarë të sindikatave”. “Kjo është praktikisht është një çështje shumë me rëndësi dhe u hapë rrugë sindikatave që janë në kuadër të organizatave të tyre punuese dhe në raport me menaxhmentin të nënshkruajnë kontratat e tyre të veçanta në nivel me punëdhënësin, dhe është një avancim në raport me ligjin e punës dhe kontratën nacionale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të punëtorit”.

Sipas tij, kjo është një garancë e minimumit që në kontratën nacionale vlejnë siç janë disa avancime, sidomos kur është fjala për lehonat, në shëndetësi, pushimet vjetore etj.

Kontrata kolektive hyn në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

ECIKS / QiK