AKM: Të përmbushen patjetër investimet e premtuara

Prishtinë, 22 shtator 2004 – Blerësit e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë nëpërmjet “spin off”-it special (blerje e ndërmarrjes me disa kushtëzime) për t’u shpallur fitues duhet të paraqesin planin e biznesit, shumën e mjeteve që planifikohen të investohen dhe numrin e punëtorëve që do të angazhohen në punë. Nëse fituesi i ofertës për ndërmarrjet e shitura shoqërore dështon në përmbushjen e investimeve të premtuara në bazë të planit të biznesit, PSSP-ja ka të drejtën e rishitjes së asaj ndërmarrjeje, thanë zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Në raundin e tretë, nga 18 ndërmarrje, vetëm tri prej tyre do të shiten me “spin-off” special (”Ferronikeli”, “Përparimi”, Banja e Kllokotit), ndërsa për 15 ndërmarrje të tjera janë shpallur fituesit e përkohshëm.

Për raundin e tretë të privatizimit u shpallën 18 pronarët e përkohshëm të ndërmarrjeve shoqërore. Në këtë raund, për “spin off” të rregullt janë dorëzuar 97 oferta. Ndërsa vlera totale e ofertave finale që janë fituese të përkohshme ka qenë mbi 16 milionë euro. Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së, tha se është i kënaqur me numrin e madh të të interesuarve, si nga vendi, ashtu edhe nga Europa dhe, sipas tij, kjo tregon se investitorët kanë besim në procesin e privatizimit, në AKM-në dhe në investimet në Kosovë.

“Raundi i tretë ka qenë një kthesë e veçantë për të gjithë. Ai ka kthyer besimin për ndërmarrjet të cilat janë në proces të privatizimit dhe do të kthejë edhe besimin e investimeve që do të reflektohen edhe në pasqyrën e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha Shala. Shala tha se shumë shpejt do të fillojë edhe raundi i katërt i procesit të privatizimit dhe për çdo muaj do të jenë së paku 10 ndërmarrje të ofruara për privatizim.

Kirk Adams, zëvendësdrejtor i Departamentit të Privatizimit, tha sa “spin off”-i special mundëson që investimet e bëra në ndërmarrje të shpenzohen në Kosovë. “Niveli i investimeve garanton vënien e aseteve në përdorim si dhe mundësi të reja për të punësuarit”, tha ai. Adams, sa i përket “Ferronikelit”, tha se për momentin janë duke pritur që të përfundojë parakualifikimi, para datës 24 shtator, por, sipas tij, të interesuarit për këtë ndërmarrje duhet të jenë kompani profesionale lidhur me mineralet. Sipas tij, kompanitë që parakualifikohen për “Ferronikelin” do të bëjnë ofertën më 17 nëntor dhe kjo u jep atyre mjaft kohë që të rishikojnë pasuritë e kompanisë. Tetë dhjetori është afati i fundit i dorëzimit dhe hapjes së ofertave. Çmimet e ofertave ishin nga më të ndryshmet duke shënuar shpeshherë dallime të mëdha mes tyre. Oferta më e lartë, me një çmim prej mbi 4 milionë eurosh, i është bërë Shtëpisë së Mallrave “17 Nëntori” në Pejë, e pasuar nga oferta prej rreth 3.5 milionë eurosh për Banjën e Kllokotit, ndërkohë oferta më e ulët me çmim prej 45 250 eurosh i është bërë një dyqani në Gjakovë.

“Beselica” ka fituar tenderin për “Fazitën”
Ndonëse AKM-ja ende nuk ka shpallur emrat e fituesve të tenderit të tretë të privatizimit, drejtuesit e kompanisë “Beselica” nga Podujeva pohuan se ata janë fitues të tenderit për blerjen e fabrikës së tapetave “Fazita” në Prishtinë. Xhevdet Beselica, njëri prej pronarve të “Beselica”, tha se oferta e tyre prej 2.8 milionë eurosh ishte më e larta dhe se ata janë shpallur fitues. Kjo është ndërmarrja e dytë shoqërore që blehet nga “Beselica”. Në raundin e dytë të privatizimit, ata gjatë raundit të dytë blenë ndërmarrjen për prodhimin e blloqeve “17 Nëntori” në Podujevë.

ECIKS / Biznesi