Raundi i tretë i privatizimit, shiten 15 ndërmarrje

Prishtinë, 19 shtator 2004 – Në raundin e tretë të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore janë shitur 15 ndërmarrje shoqërore për 16 milionë e 200 mijë euro. Për njërën nga ato nuk kishte fare ofertues, ndërsa dy të tjera vazhdojnë të privatizohem me metodën “spin-off” special. Ahmet Shala, zëvendësmenaxher i AKM-së, tha se deri në nënshkrimin e kontratave dhe analizën e ofertave fituesit e tenderave konsiderohen si të përkohshëm.

Ndërkohë, shqiptaro-amerikanët e familjeve Gecaj dhe Bajraktari kanë shënuar ofertën më interesante të raundit të tretë të privatizimit, me ofertën e tyre prej 4.1 milionë euro, duke blerë Shtëpinë e Mallrave “17 Nëntori” në Pejë. Në raundin e dytë, ata kanë fituar tenderin për Kombinatin e drurit në Pejë. Një fitues tjetër i rëndësishëm në këtë raund të privatizimit është edhe firma “B-trade”, e cila me ofertën e saj prej 2.1 milionë eurosh ka fituar tenderin për privatizimin e fabrikës Botling në Lipjan, e njohur si fabrika e Coca Cola-s.

Ndërmarrja “Fazita”- Qendër në Prishtinë është shitur për 2.8 milionë euro, ndërsa Shtypshkronja në Prizren për 2.7 milionë. Nga ndërmarrjet e shpallura në tender për privatizim, sipas Shalës, vetëm “Përparimi F3”, nuk ka patur ofertues dhe për këtë varësisht nga vendimi i Bordit të AKM-së, ajo do të shkojë në ritenderim ose në likuidim.

Numri i përgjithshëm i ofertuesve në pasditen e të mërkures ishte rreth 100, për secilën ndërmarrje u zgjodhën tri ofertat më interesante të cilat patën mundësi të ndryshojnë ofertat e tyre, në raundin e dytë gjatë pasdites, duke propozuar çmime më të volitshme, për të zgjedhur në fund finalistët. Të 18 fituesit janë tendera të thjeshtë, ndërkohë me metodën e “spin-off” special do të privatizohen fabrika e blloqeve “Përparimi” në Skënderaj dhe Banja e Kllokotit, raundi i dytë i ofertimit të të cilave do të shpallet pas dy javësh.

Qeveria e kenaqur
Kryeministri Rexhepi theksoi se qeveria dhe ai personalisht besojnë se procesi i privatizimit është njëri prej hapave kyç për zhvillimin ekonomik që duhet të përfundojë me sukses Kosova.

“Që nga viti 1999, ne kemi pritur me padurim që të jemi në gjendje të zgjidhim kontestet dhe ankesat pronësore të cilat kanë vështirësuar aktivizimin e ekonomisë së Kosovës. Procesi i privatizimit nën udhëheqjen e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), do t’i ofrojë Kosovës një kornizë të ndershme dhe të njohur ndërkombëtarisht, e cila do t’i bëjë të sigurta transaksionet e privatizimit”, tha kryeministri Rexhepi.

Hapja e kutive është pasuar me verifikimin e ofertave nga ekspertë të AKM-së dhe shpalljen e tyre, ndërkohë që emri i ofertuesit nuk është publikuar. Secili ofertues është identifikuar me kod.

Ndërsa kutia e vendosjes së ofertave e vendosur në Prishtinë ishte e mbushur, ajo e vendosur në pjesën veriore të Mitrovicës kishte vetëm një ofertë për Shtëpinë e Mallrave në Leposaviq, me një shumë prej 121 250 eurosh.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Dragusha, tha se sindikata është relativisht e kënaqur me çmimet me të cilat u shitën ndërmarrjet, me disa përjashtime të vogla. Ai tha se punëtorët kosovarë e dinë se privatizimi shkakton shkurtimin e vendeve të punës, por vazhdimi i paqartësisë së statusit të ndërmarrjeve rrezikon që çmimi i shitjes së tyre të ulet.

Nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, 20 për qind e çmimit do të paguhet për punëtorët, ndërsa 80 për qind e fondeve do të ruhen në Fondin e Mirëbesimit në AKM dhe deri në zgjidhjen e statusit final ato nuk do të shfrytëzohen nga askush.

ECIKS / Biznesi