U finalizua MTL me Maqedoninë

Prishtinë, 28 qershor 2005 – Të martën në Prishtinë është bërë finalizimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë (MTL) ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo marrëveshje do të jetë në interes të stabilizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit në fushën e tregtisë ndërmjet dy vendeve, thanë zëvendëskryeministri Maqedonas Minçe Jordanov dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugollit.

Ndërsa zv/ kryeadministratori, Lari Rosin, i pranishëm në takim, e ka vlerësuar arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Sapo kemi përfunduar një bisedë të suksesshme për të finalizuar marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Ne kemi arritur pajtim në të gjitha elementet e kësaj marrëveshjeje të tregtisë”, ka thënë Rosin.

Duke shprehur kënaqësinë lidhur me arritjen e mirëkuptimit për marrëveshjen e tregtisë së lirë, zv/kryeministri maqedonas Minçe Jordanov tha se kjo do të jetë në interes të mbarë Ballkanit për stabilizim dhe asociim të proceseve.

“Ky është një hap i vogël por shumë i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve politike, ekonomike ndërmjet të dy vendeve dhe kjo marrëveshje e tregtisë së lirë shpreh zhvillimin optimal të interesave ekonomike të të dy vendeve”, ka thënë Jordanov.

Arritjen e marrëveshjeve bilaterale, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli e vlerëson si plotësim të standardeve për Kosovën.

“Kjo është edhe një hap përpara rreth ndërtimit të klimës së mirë me vendet të rajonit, ndërtimi i dialogut dhe miqësisë është pjesë e standardeve”, ka theksuar Dugolli.

Nënshkrimi i marrëveshjes nga folësit u tha se është çështje formale teknike dhe kjo pritet të bëhet së shpejti.

ECIKS / Radio Kosova