Çmimi i naftës arrin në 60,65 USD për një fuçi

Tiranë, 28 qershor 2005 – Çmimi në tregjet ndërkombëtare të naftës ka arritur rekorde të reja, duke kaluar çmimin prej 60 dollarë për fuçi. Sipas të dhënave të agjencive të huaja, ky është rekordi i ri i lëvizjes së çmimit që ka nisur që prej javës së shkuar. Të dhënat e marra nga agjencitë e huaja bëjnë të ditur se ka qenë bursa e Nju Jorkut që ka njohur së pari rekordin e ri të çmimit të naftës. Në Nju Jork kanë njoftuar se arsyet kryesore të rritjes së çmimit vijnë pas zgjedhjes së presidentit të ri të Iranit dhe programit që ai ka për aktivizimin e prodhimit të energjisë bërthamore. Irani është vendi i dytë i OPEC-it për prodhimin e naftës, duke qenë një nga ndikuesit kryesorë të prodhimit të naftës në botë. Luhatja e çmimit dhe paralajmërimi për një krizë botërore në prodhimin dhe konsumin e naftës është bërë së pari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë dhe konsumatorët më të mëdhenj të naftës në botë.

Çmimi
Një fuçi naftë e papërpunuar u vlerësua gjatë ditës së djeshme me 60,65 dollarë në bursën e Nju Jorkut, duke regjistruar kështu një “shkëputje” të pikës së takimit të kërkesës me ofertën, sidomos në Shtetet e Bashkuara, vend i cili konsumon më shumë naftë në të gjithë botën. Analistët thonë se ndërmjet debatit të vazhdueshëm për kapacitetet rafinuese, çmimet e naftës po shkojnë gjithmonë e më shumë në rritje. Çmimi i naftës ka ardhur gjithmonë në rritje gjatë dhjetë ditëve të fundit, duke regjistruar vlerën më të lartë të premten që lamë pas, me mbi 59,8 dollarë për fuçi. Ndërkohë, gjatë pushimit të fundjavës dhe zgjedhjes së Mahmoud Ahmadinejad si president i ri i Iranit, çmimi i naftës kapi rekorde të reja, duke kaluar në vlerat mbi 60 dollarë për fuçi në të gjitha tregjet e mëdha të shkëmbimit, si në ato aziatike, evropiane dhe në Nju Jork. Grafiku i çmimit të naftës që janë regjistruara gjatë ditës së djeshme, ka qenë gjithmonë në rritje, duke bërë që në mesditë në Evropë të regjistrohet çmimi prej 60,65 dollarë për fuçi.

Nënproduktet e naftës
Pothuajse të gjitha çmimet e nënprodukteve të naftës kanë ndjekur grafikun e çmimit të naftës së papërpunuar. Pavarësisht nga lëvizja tradicionale që ka njohur ky sezon, nafta që përdoret për nxehje dhe që shitet me pakicë në Shtetet e Bashkuara ka njohur një rritje të paparë prej 3 centë dollarë, duke arritur në çmimin prej 1 6781 për gallon (një gallon ka 3,78 litra). Ndërkohë që nafta për automjetet në Shtetet e Bashkuara është shitur dje me 1 6715 për gallon. “Psikologjia e tregut është që me arritjen e çmimit 60 dollarë për fuçi, lind një tendencë për të parë se sa shumë mund të rritet çmimi, ose për sa kohë do të rrijë në nivelin prej 60 dollarësh”, – u shpreh dje Viktor Shum, analist i naftës në zyrat qendrore të Purvin & Gertz në Teksas. Të dhënat e mara nga “Nymex”, tregojnë se nafta bruto ka qenë shumë afër, duke kaluar disa herë çmimin prej 60 dollarësh në disa raste gjatë ditëve të shkuara, sidomos të premten e fundit. Për tregun e “Nymex”, ky është çmimi më i lartë që prej vitit 1983, vit në të cilin kjo bursë ka filluar aktivitetin si shkëmbyes. “Ka shumë aktivitete spekuluese dhe ky është një treg që “djeg”, tha po dje analisti Shum. Çmimet e naftës kanë pësuar një rritje prej rreth 60 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por ato duhet të kalojnë çmimin prej 90 dollarë për fuçi, që të barazohet me çmimet e rreth 25 viteve më parë. Çmimi prej 90 dollarësh është kushtëzuar nga norma e inflacionit që ka sjellë zhvlerësimin e dollarit.

Irani
Rritja e çmimit të naftës ka ardhur pas zgjedhjes së presidentit të ri të Iranit dhe deklaratave që ai ka bërë për prodhimin e energjisë bërthamore në këtë shtet. “Është e drejta e Iranit që të zhvillojë dhe prodhojë energji nukleare”, – është shprehur para dy ditësh presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad. Sipas agjencive të huaja të lajmeve, Ahmadinejad është një prej themeluesve të grupit që ka sulmuar ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Iran gjatë vitit 1979, dhe ai ka refuzuar që të flasë me përfaqësuesit e SHBA-së, të cilët e akuzojnë Iranin për prodhim të armëve bërthamore.

Rusia
Presidenti rus, Vladimir Putin, premtoi gjatë së shtunës se vendi i tij nuk do të vazhdojë më me rritjen e sasive të eksportit të naftës dhe gazit natyral në tregjet e huaja. Komentet e Putin vijnë në fund të javës, pas një periudhe kur e gjithë bota u përball me çmime të larta të naftës bruto. Ndërkohë, Vladimir Putin ka vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje pas ca kohësh që të importojnë rreth 1 milion fuçi naftë në ditë nga Rusia.

ECIKS / Shekulli