Prishtinë, 25 qershor 2005 – Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në parim projektligjin për investimet e huaja, i cili pritet të krijojë një infrastrukturë të favorshme ligjore dhe kushte të barabarta për investime të kapitalit të jashtëm në vend, njofton në numrin e sotëm e përditshmja Koha Ditore.
Sipas deputetëve të Kuvendit, të cilët miratuan me shumicë votash këtë projektligj, ai do të mundësojë krijimin e themeleve ligjore për investitorët e huaj, me qëllim të dinamizimit të zhvillimit ekonomik.
Bujar Dugolli, ministër për tregti dhe industri në Qeverinë e Kosovës, tha në Kuvend se ligji do të rregullojë të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me kontraktimet, shitblerjet e patundshmërive, si dhe me planet tjera që kanë të bëjnë me transferin e investimit.
“Kjo përben garanci të mjaftueshme juridike dhe institucionale për investitorët e huaj dhe është bazë e fuqishme për nxitjen dhe promovimin e investimeve të huaja në të ardhmen në Kosovë” ka thënë ministri Dugolli gjatë fjalimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Projektligji parashikon edhe mbrojtjen e pasurisë së investitorëve të huaj, në rast se ju shkaktohen humbje nga aktivitetet joligjore, shkruan më tutje Koha Ditore.
Ligji mes tjerash do të përcaktojë edhe rregullat për investitorët e huaj në rrafshet që përkasin me përfshirjen e investimeve të tyre në mjediset jetësore, duke përfshirë edhe kushtet e punësimit.
Ndryshe, analistë dhe ekspertë të ekonomisë në vend kanë vlerësuar në shumë raste se mungesa e ligjeve adekuate ka qenë njëra ndër pengesat kryesore për zhvillimin e duhur ekonomik në Kosovë dhe tërheqjen e investitorëve të huaj dhe kanë fajësuar në shume raste Qeverinë dhe Kuvendin se me mosnxjerrjen e ligjeve që do të garantonin investimet e kapitalit të huaj në vend, po fundosin ekonominë e vendit.
Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, ai do të kontrollohet paraprakisht nga një zyrë ligjore e administratës ndërkombëtare në Kosovë e pastaj të nënshkruhet nga Kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen – Petersen.
Ndryshe, Misioni i OKB në Kosovë para disa kohësh ka nxjerrë një rregullore, përmes së cilës u mundëson investitorëve të huaj marrjen me qira të tokës me një afat 99-vjeçar, thuhet në fund të informatës që sot u botua në ballinën e të përditshmes Koha Ditore.
ECIKS