Turqia e interesuar për sektorin energjetik në Kosovë

KEK-u ua ka bërë terr biznesmenëve turq, pikërisht në kohën kur ata diskutonin mundësitë e investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë. Madje ky moment ka qenë më bindës për nevojën e investimeve në energjetikën kosovare se fjala që mbajti kryeministri Hashim Thaçi të martën në holen “Grand”, gjatë takimit të komunitetit të biznesit nga Turqia dhe nga Kosova.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ali Babacan, ka premtuar se Turqia do të bëjë investime direkte në Kosovë. “Kosova ka resurse të mëdha natyrore dhe ky është potencial i mirë për investime”, ka thënë Babacan.

Prioritet për investime mbetet energjia elektrike, telekomunikacioni dhe bujqësia. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga biznesmenët që të dalin me projekte konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit. “Kemi krijuar një ambient ku investitorët e huaj do të jenë të barabartë me ata vendës”, ka pohuar Thaçi dhe si lëvizje pozitive ka përmendur uljen e tatimit në fitimin e korporatave nga 20 në 10 për qind.

Sipas tij, Turqia vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Kosovës si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Kosova është shtet i ri, me spektër të gjerë të nevojave për zhvillim.

Faik Yavuz, nënkryetar i Unionit të Odave Ekonomike të Turqisë, tha se këto dy vende kanë një këmbim të mirë tregtar dhe kanë nisur investimet e kompanive turke në Kosovë. Këtu afarojnë 12 biznese me kapital turk, ndërsa Turqia eksporton mallra në vlerë mbi 180 milionë euro në vit, derisa importon vetëm rreth 2 milionë euro në vit. “Ne premtojmë ndihmën e bankave turke përmes kredive më të volitshme”, ka premtuar Yavuz.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, ka shprehur optimizmin për të ardhmen e ekonomisë së Kosovës, ndonëse duhet një bashkëpunim thelbësor me jashtë. “Të gjitha sektorët kanë mundësi për zhvillim, bazuar në fuqinë e re dhe relativisht mirë të edukuar”, ka thënë Beqaj.

Me këshill biznesi
Të martën është nënshkruar marrëveshja për themelimin e Këshillit Biznesor kosovaro-turk dhe marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe Unionit të Odave Ekonomike të Turqisë.

Me këto marrëveshje, sipas zyrtarëve të OEK-ut, hapet rruga e bashkëpunimit më të mirë mes Kosovës dhe Turqisë në aspektin ekonomik. Objektiv kryesor i Këshillit Biznesor kosovaro-turk do të jetë përmirësimi i ambientit për tregti dhe investime në Kosovë.

Gazeta Express

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.