Banka Merrill Lynch bie dakord të blihet nga korporata Bank of America.
Washington, 15 shtator 2008 – Marrëveshja mund të çojë ne nje riorganizim te menjëhershem ne sistemin bankar amerikan duke e bërë bankën më të madhe huadhënëse të Amerikës edhe më të madhe.
Dje në mëngjes, bisedimet që kishin si qëllim stabilizimin e bankës Lehman Brothers përfunduan pasi Bank of America dhe britanikja Barkleys PLC vendosën te mos e blinin bankën 158 vjeçare të invesitmeve.
Lehman Brothers më parë ishte banka e katërt më e madhe e investimeve në Shtetet e Bashkuara, por investimet e papeshuara në pasuri të patundëshme dhe fusha të tjera sollën kohët e fundit një rënie drastike të aksioneve të saj.
Tronditje ne Wall Street
Kur Wall Street u zgjua sot në mëngjes, dy firma të tjera të mëdha nuk ishin më pjesë e tij. Mbrëmë, nga ndërtesa e saj në Nju Jork, u panë të dalin njerëz që mbanin çanta dhe kuti me dokumente.
Korporata Bank of America njoftoi se po blinte firmën e madhe financiare Merrill Lynch. Transaksioni i shitblerjes kishte një vlerë prej rreth 50 miliard dollarësh.
Merrill Lynch ishte një kandidate më tërheqëse për t’u blerë nga Bank of America se sa Lehman Brothers, për shkak të përmasave të saj dhe pozicionit në treg.
Rënia e këtyre institucioneve të Wall Street vjen ndërkohë që sistemi financiar amerikan është tronditur rëndë nga kriza e kreditit, e cila filloi me rënien e kompanisë së madhe Bear Stearns.
Kompania më e madhe e sigurimeve në botë, American International Group, është detyruar gjithashtu t’i nënshtrohet ristrukturimit.
Një konsorcium ndërkombëtar bankash, në bashkëpunim me zyrtarët e qeverisë amerikane shpallën një fond prej 70 miliard dollarësh që mund t’u jepet firmave financiare në krizë.
Qëllimi, sipas këtyre bankave, është të parandalohet një panik i madh në bursat botërore.
Dhjetë banka të mëdha ranë dakord që secila të japë nga 7 miliard dollarë për të zbutur lëkundjet e papara dhe sfidat e tjera që prekin tregjet e aksioneve dhe të obligacioneve.
Banka Qendrore amerikane dha gjithashtu kontributin e saj duke u treguar më zemërgjerë me programet për huadhëniet në raste emergjence.
Njoftimi i bankës së investimeve Lehman Brothers se po shpallte falimentimin, erdhi pasi të gjithë blerësit e mundshëm i kthyen asaj shpinën.
“Lehman ashtu si shumë banka të tjera, u zhyt thellë në fluskën e investimeve të pronave të patundëshme. Por si çdo fluskë edhe ajo mori fund dhe ne po shikojmë tani pasojat,” thotë analisti i tregut, Hu Xhonson.
Blerësit e mundshëm u trembën nga refuzimi i qeverisë amerikane për të ndihmuar, siç kishte vepruar 6 muaj më parë me firmën Bear Stearns apo në fillim të këtij muaji me kompanitë Fanny May dhe Freddie Mac.
“Nëse vazhdon të ndërhysh për të shpëtuar kompanitë me probleme, kjo nuk i shërben rivendosjes së besimit,” thotë analistja An Mathias.
Këto zhvillime vijnë ndërkohë që votuesit amerikanë, për të cilët ekonomia është shqetësimi kryesor, përgatiten për zgjedhjen e presidentit pas 7 javësh.
Duket se zhvillimeve në Wall Street do t’u kushtohet më shumë vemendje nga kandidatët presidencialë si dhe nga Kongresi lidhur me nevojën për rregulla më të forta në industrinë financiare.
ECIKS / Zeri i Amerikes