Tri konsorciume ftohet të paraqesin oferta për ANP

Konkurrimi për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës ka hyrë në fazën përfundimtare me zgjedhjen e tri konsorciumeve ndërkombëtare, të cilat janë ftuar që t’i paraqesin ofertat e tyre.

Në garë kanë mbetur Bouyges Batiment/Egis/ Eurokoha – PAIC Consortium; Fraport IC ICTAS Havalimani Isletme A.S dhe Limak/Aeroport de Lyon Consortium.

Komiteti Drejtues Ndërministror, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ftoi konsorciumet e kualifikuara që të dorëzojnë propozimet e tyre përfundimtare në bazë të Marrëveshjes përfundimtare për partneritetin publiko privat në ANP.

Ashtu siç ishte specifikuar në dokumentet finale të publikuara, afati për dorëzimin e propozimeve për koncesionimin e ANP-së ishte 15 prill 2010.

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se po synon që përmes investimit të kapitalit privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të sigurojë infrastrukturë moderne, përmirësim e shërbime të nivelit botëror, përfitime nga efikasiteti në operim si dhe transparencë të shtuar në operimin dhe financimin e aeroportit.

Përmes këtij koncesionimi, sipas qeverisë, Kosova do të përfitojë investime të huaja direkte në vlerë rreth 100 milionë euro si dhe përqindje nga të hyrat bruto të ANP-se, të cilat do të derdhen në buxhetin e Kosovës çdo vit, për 20 vitet e ardhshme.

ECIKS