Banka Qendrore do të emitojë letra me vlerë

Një projektligj i miratuar nga Qeveria e Kosovës, i mundëson Bankës Qendrore të Kosovës që të emitojë letra me vlerë në mënyrë që të ndikojë më tepër në mbështetjen e politikave ekonomike në vend.

Ky projektligj pritet të dërgohet për miratim edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala tha se Projektligji i BQK-së është projektligj modern, dhe përmban të gjitha elementet e nevojshme të legjislacionit, në përputhje me traktatin e Komisionit Evropian, si dhe është në harmoni me sistemin evropian të bankave qendrore.

Sipas ministrit Shala, ky projektligj mundëson krijimin e bazës ligjore edhe për nxjerrjen e ligjeve tjera nga lëmi i financave, me të cilin do të kompletohet korniza ligjore për ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit bankar dhe atij të sigurimeve.

Me projektligjin e BQK-së përcaktohet edhe mënyra e përcaktimit të bordit të drejtorëve, të bordit ekzekutiv, mënyra e dhënies apo revokimit të licencave për bankat, si dhe metodat e intervenimit në raste emergjente kur ndonjë bankë komerciale mund të ketë vështirësi.

BQK është institucioni më i lartë financiar në Kosovë, i cili bën licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave, kompanive të sigurimit dhe skemave private pensionale.

Nga ekspertët e FMN-së sistemi bankar në Kosovë konsiderohet ndër më të sigurtit në rajon.

ECIKS

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.