Tregtarët kosovarë paralajmërojnë rënie të çmimeve të karburanteve

PRISHTINË, 12 TETOR – Bareli i naftës në bursat ndërkombëtare ka rënë nën vlerën prej 77 dollarësh, por ka më shumë se një muaj që rëniet e vazhdueshme të çmimeve në bursa ndërkombëtare deri tash nuk janë reflektuar në tregun kosovar. Arsyetimi i tregtarëve të naftës është se ata ende po shesin rezervat që i kanë marrë me të shtrenjtën. Megjithatë tregtarët paralajmërojnë se prej të hënës së ardhshme do të ketë lëvizje çmimesh edhe në tregun e Kosovës. Aktualisht në Kosovë një litër naftë me pakicë vazhdon të shitet 1.15 euro, derisa benzina shitet për pesë centë më lirë. Ndërkaq çmimi i karburanteve me shumicë, në pikat e shitjes nga importuesit e licencuar sillet nga 1.04 euro për naftën dhe 0.99 euro për benzinën.

Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi, thekson se numri i madh i pikave të shitjes dhe mungesa e rafinerisë së naftës lejon që tregtarët të manipulojnë me çmimet. Sipas tij, nuk është çështja se në treg ka rezerva të mëdha të karburanteve të cilat tregtarët i kanë blerë me çmim të shtrenjtë, porse ata e shfrytëzojnë këtë situatë për të mos i zbritur çmimet për një kohë. “Ka tregtarë që nuk i shesin 30 mijë litra naftë për një muaj dhe ata i mbajnë çmimet pa i ndryshuar”, thekson Bytyçi. Megjithatë ai shpreson se deri të hënën do të ketë një lëvizje pozitive në treg, pasi që po vazhdon rënia e çmimit në bursat ndërkombëtare.

Bytyçi thotë se ata si shoqatë nuk kanë ndikim në përcaktimin e çmimit, pasi një gjë e tillë është në duar të ekonomisë së tregut, mirëpo premton se si të verifikohet çmimi ndërkombëtar i këtij produkti në bursa, të hënën edhe në Kosovë do të ketë ndryshim. Në anën tjetër pronari i kompanisë “Hib Petroll”, Ibrahim Bucaliu, njëherësh importues i licencuar i karburanteve, pranon se ndryshimet në bursa nuk kanë ndikuar shumë në Kosovë. Ai e arsyeton këtë me ngritjen e vlerës së dollarit, me të cilën valutë bëhet edhe blerja e karburanteve në rafineri.

“Ditëve të fundit ka një rënie në bursa të naftës, mirëpo është rritur vlera e dollarit dhe nafta paguhet me dollarë. Prandaj nuk është vërejtur ndryshim i madh i çmimit të shitjes me pakicë në Kosovë”, ka pohuar Bucaliu. Sipas tij, nuk ka ndonjë diferencë të madhe të çmimit të para disa ditëve dhe atij aktual në Kosovë, megjithëse pret që ditët në vazhdim të ketë rënie të reja nëse dollari nuk lëviz. Të premten bursa ndërkombëtare ka shënuar rënien më të madhe të çmimit të naftës në 77 dollarë për barel nga 147 dollarë për barel kur qe ngritur në gjysmën e parë të këtij viti.

Kjo rënie njëherësh ka ndikuar që të zbresë edhe çmimet e gazit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çmimi i gazit ka rënë në 3.24 euro për galon, që do të thotë për 27 centë më lirë se çmimi paraprak. Lajm i mirë për Qeverinë Amerikane këtë javë ka qenë se vlera e dollarit në krizën financiare që ka kapluar këtë vend ka filluar të rritet, krahas valutave të tjera ndërkombëtare. Raporti i dollarit me euro është ngritur këto ditë nga 0.69 euro, sa bënte një dollar në 0.74 dhe sipas ekspertëve të financave ky raport do të vazhdojë në të mirë të dollarit.

Koha Ditore