Transporti shqiptar fiton të drejtat në Itali

Tiranë, 7 shkurt 2004 – Shqipëria ka një marrëveshje për transportin rrugor me Italinë, në bazë të së cilës, kompanitë shqiptare të transportit ndërkombëtar kanë të drejta reciproke në territorin italian. Por gjatë katër viteve të fundit, pala shqiptare ka qenë e diskriminuar për shkak se lejet e dhëna nga Ministria e Tranportit kanë qenë të kufizuara në numër, kundrejt atyre italiane, ndërsa maunet shqiptare janë detyruar të paguajnë taksa shtesë në territorin italian.

Disa nga problemet që kanë penguar zhvillimin transportit ndërkombëtar midis vendit tonë dhe Italisë mund të marrin fund. Zgjidhja pritet të vijë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje mbi rregullimin reciprok të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve mes Shqipërisë dhe Italisë. Instrumentet e miratimit të kësaj marrëveshjeje janë nënshkruar tri ditë më parë në kryeqytetin italian, pranë selisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë. Për palën shqiptare instrumentet për miratimin e marrëveshjes janë nënshkruar nga vetë ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Itali, Pavli Zëri, ndërsa për palën italiane marrëveshja është nënshkruar nga Avokati i Shtetit Ivo M. Braguaglia, njëkohësisht edhe shef i Çështjeve Diplomatike dhe të Traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë. Pas nënshkrimit u shkëmbyen instrumentet e miratimit te marrëveshjes ndërmjet dy vendeve tona mbi rregullimin reciprok të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Ministrisë sonë të Transportit dhe Telekomunikacioneve.

Problemet që priten të zgjidhen
Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje do iu hapet rrugë proceseve të mëtejshme lidhur me procedurat që synojnë lehtësimin e detyrimeve reciproke në dobi të transportuesve në të dy brigjet e Adriatikut. Në këtë marrëveshje, me anë të një neni të veçantë do mundësohet institucionalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve për zgjidhjen e problemeve në fushën e transportit ndërkombëtar.

Në të kaluarën, makinat apo maunet që kalonin prej Italisë në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas duhet të ishin të pajisura me një leje kalimi, që ndryshe njihet edhe si “disvolta”. Kjo leje kalimi ishte mjaft e kufizuar në numër dhe, sipas marrëveshjeve të mëparshme me shtetin fqinj, ato duhej të ishin të barabarta në numër për të dy shtetet. Transportuesit shqiptarë pajiseshin me këtë lejë kalimi nga Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve kundrejt plotësimit të procedurave përkatëse si edhe pagesës prej 10 USD. Ndërsa Ministria italiane e Transportit, nga ana e saj, mund të pajiste vetëm shtetasit italiane me këtë lejë kalimi, që u kushtonte rreth 90 euro. Numri i kufizuar i lejeve të kalimit për mjetet e transportit krijonte raste abuzimi dhe korrupsioni. Kështu, në “tregun e zi” çmimi i saj shumëfishohej, madje ky çmim për transportuesit shqiptarë mund të shkonte në 200 USD. “Leja e kalimit ka kushtëzuar transportin e automjeteve dhe mallrave drejt Italisë, si pasojë e ryshfeteve”, – shprehet Kujtim Hashorva specialist në fushën e transportit. Gjithashtu, sipas tij, transportuesit shqiptarë janë nga të vetmit në Europë që paguajnë taksën e quajtur “e drejta fikse” (diritto fisso). Nga kjo marrëveshje pritet edhe përmirësimi i kuadrit ligjor të transportit ndërkombëtar mbi faktorët ambientalë, marrjen e masave kufizuese, rishikimin e lejeve të vjetëruara etj.

ECIKS / Shekulli