Telekomi slloven i kënaqur me investimet në Kosovë

Telekomi i Sllovenisë e ka renditur Kosovën në vendin e parë për të bërë biznes. Biznesi i kësaj kompanie, IPKO, ka dalë të jetë më i leverdishmi në tërë rajonin, ku kjo kompani ka investuar mbi 200 milionë euro. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti, biznesi i saj në Kosovë ka sjellë një fitim neto prej 8.8 milionë eurosh.

“Pas operimeve tona në Slloveni, kontributi i kompanisë IPKO në Kosovë, është më i rëndësishmi për Telekom Sllovenia Group .Vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti ne kemi pasur 8.8 milionë euro neto fitim”, tha të hënën kreu i Bordit të Telekom Sllovenia, Ivica Kranjçeviq.

“Vitin e ardhshëm planifikojmë t’i investojmë së paku 19 milionë euro në shërbimet e telefonisë fikse dhe të televizionit digjital”, theksoi ai.

Për biznesin në Kosovë, IPKO-në, ka folur edhe drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Robert Erzin. Ai thotë se ka synim bërjen e kompanisë së tij lider në tregun kosovar të telekomunikimit.

“Tani kemi 24 % të tregut në telefoninë mobile, 6 % në telefoninë fikse, 57 % të TV digjitale dhe 53 % të tregut të internetit. Me investimet që do t’i bëjmë mendojmë të rrisim tregun tonë në Kosovë”, tha Erzin.

Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, sipas tij, IPKO ka realizuar 54 milionë euro. “Përpos biznesit që bëjmë ne, kemi hapur rreth 500 vende të punës, paguajmë miliona euro për taksa dhe përkrahim shumë iniciativa qytetare, aktivitete sportive dhe kulturore”, theksoi Erzin.

/ Koha /