29 nëntor 2006 – Energjia kalon vetëm nga Kosova. Në kushtet e një situate të rënduar energjetike në rajonin e Ballkanit, për shkak të rritjes së konsumit, por edhe të paralajmërimit për mbylljen e dy reaktorëve bërthamorë në Kozloudi të Bullgarisë, sytë e KESH-it, por edhe të Korporatës Greke të Energjisë janë nga Kosova. Shqipëria dhe Greqia janë dy vendet e vetme në rajon që importin e energjisë e bëjnë nëpërmjet linjave të tensionit të lartë që kalojnë nga Kosova.
Një defekt i mundshëm në këto linja është i aftë të lerë me ditë të tëra pa drita vendin tonë, por edhe Greqinë fqinje. Optimist është fakti se, për shkak të uljes së importit të energjisë nga Bullgaria, këto linja transiti mendohet të jenë më pak të ngarkuara se vitin e kaluar. Kjo për shkak se nuk ka më asnjë shans për osmbylljen e dy reaktorëve bërthamorë në Kozloudi të Bullgarisë. Lobingu, që shtetet e rajonit i bënë Bashkimit Evropian për shtyrjen të paktën 3-mujore të mbylljes së tyre, ka dështuar tërësisht. Këtë fakt e ka konfirmuar për shtypin ministri i Jashtëm bullgar, Ivalio Kalfin. Sipas tij, mbyllja e dy reaktorëve është e parashikuar në marrëveshjen e asocimit me BE-në, dhe nëse Bullgaria do të kërkojë ndryshime në marrëveshje, atëherë ato duhet të ratifikohen nga vendet anëtare, gjë që kërkon më shumë kohë sesa një muaj.
Kriza e paralajmëruar energjetike në rajonin e Ballkanit, që përfshin edhe Shqipërinë, mund të zgjidhej vetëm nga Bashkimi Evropian. Alternativa e vetme ishte shtyrja e afatit për mbylljen e reaktorëve bërthamorë në Bullgari, gjë që për momentin duket e pamundur, ndërsa zgjidhja tjetër është transitimi i energjisë nga vendet e Evropës Qendrore. Për shkak të mbylljes së centraleve në Bullgari, Shqipëria do të kërkojë që transitimi i energjisë të bëhet përmes linjave që kalojnë nga Serbia dhe Kosova dhe që mendohet të jenë të superngarkuara.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke zhvilluar tenderin e hapur ndërkombëtar për blerjen e energjisë elektrike nga importi dhe kjo vetëm për sa i përket vitit 2007. KESH-i do të blejë në total 2 miliardë MWh energji elektrike për të gjithë vitin e ardhshëm, ndërkohë që fondi limit është 162 milionë euro, ku përfshihen TVSH-ja dhe taksat doganore përkatëse.
Shqip / ECIKS