Më 17 shkurt, ditën kur Kosova proklamoi pavarësinë e saj, Wall Street ishte mbyllur, mirëpo të gjitha agjencitë informative financiare botërore, e sidomos Bloomberg, lajmin e shpalljes e kanë përsëritur si informacion pozitiv në çdo edicion në radio, TV dhe internet. Kjo frekuencë e transmetimit të lajmit, e përcjellë me prezantim dhe analiza të potencialit ekonomik dhe minerar të shtetit të ri, ka ndikuar që mëvetësia e Kosovës të pranohet si lajm i mirë për bursat e SHBAsë, Evropës dhe Azisë në ditët pas shpalljes së pavarësisë. Sidoqoftë, analizat ekonomike dhe financiare janë koncentruar përpjesëtueshëm edhe në sfidat që e presin anëtaren më të re në bashkësinë e ekonomive botërore në të ardhmen.
Në artikujt analitikë është theksuar se në Kosovë flitet shumë për donacione dhe ndihmë nga jashtë, porse donacionet dhe ndihma nuk do të zgjidhin problemet ekonomiko-financiare të saj. Me një rrjet infrastrukturor të shkatërruar, mungesë alarmante të energjisë dhe dritave, shkallë zyrtare të papunësisë mbi 50 për qind, me 37 për qind të popullsisë që sipas Bankës Botërore jeton nën nivelin e varfërisë me më pak se 1.5 euro në ditë dhe të ardhura përafërsisht 800 euro për krye banori, Kosova është në grup me vendet si Etiopia dhe Zambia dhe së pakut dhjetë herë prapa mesatares së të ardhurave për krye banori të Bullgarisë dhe Rumanisë, anëtaret më të reja të BE-së. Në Kosovë rreth 1.2 miliardë euro ose me shumë se buxheti vjetor i qeverisë së tanishme shpenzohen për siguri dhe administrim përkundrejt vetëm 135 milionë euro që investohen për zhvillim ekonomik. Ventili kryesor i lëshimit të stresit ekonomik për Kosovën deri më tash nuk kanë qenë donacionet ndërkombëtare, por kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë remitancat apo urdhërxhirimet nga diaspora e saj, që arrijnë vlerën e transfereve monetare prej mbi 500 milionë euro për vit, para këto që duhet të transformohen prej asistencës sociale në investime të expatriateve në atdheun e tyre.
Duke marrë në konsideratë gjendjen momentale të ekonomisë dhe pritjet që investitorët potencialë kanë për tregun e ri të quajtur Kosova e pavarur, vendi ynë duhet menjëherë të ndërmarrë hapa urgjentë të vendosjes së bazamentit ligjor dhe makroekonomik që është konform me sistemet ekonomiko-financiare ndërkombëtare moderne, por edhe me kushtet e Kosovës. Pas festimit dhe delirit të gëzimit për lindjen e shtetit, në qoftë se Kosova dëshiron të bëhet pjesë e sistemeve dhe e organizmave politikë, ekonomikë dhe financiarë ndërkombëtarë, lidershipi dhe qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se përpos shumë të drejtave dhe lirive, me pavarësinë vijnë edhe po aq përgjegjësi dhe detyrime. Procesi i reformimit, aplikimit si dhe anëtarësimit të Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare nuk duhet bërë shkel e shko. Së pari, kultura e korrupsionit dhe zhvillimit të ekonomisë informale duhet çrrënjosur pamëshirshëm. Së dyti, qeveria duhet të fillojë sa më parë reforma të thella ligjore, makroekonomike, fiskale dhe taksore, si dhe të forcojë institucionet statistikore që përgatisin ose do të përgatisin parametrat dhe indikatorët ekonomikë për institucionet dhe investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Të gjitha këto duhet të ndodhin para së të zbehet interesimi i investitorëve dhe kapitalit, sidomos në formë të investimit direkt të jashtëm apo investimit të kapitalit privat; para se Kosova të fillojë procesin e aplikimit për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore (BB); dhe natyrisht para se Kosova të kërkojë klasifikimin kreditor (credit rating) nga agjencitë kredituese si Moody’s, Standard and Poor dhe Fitch.
Gjatë aplikimit, dhe pas pranimit, për secilën organizatë duhet krahasuar çfarë janë pluset dhe çfarë mund të jenë minuset para se rekomandimet e tyre të pranohen apriori pa studim serioz të kushteve të ekonomisë së Kosovës. Institucione financiare si FMN-ja edhe BB-ja janë produkt i një sistemi të lindur në Bretton Woods, më 1945, në një botë tjetër fare nga kjo e sotmja dhe kohëve të fundit u janë ekspozuar kritikave të shumta. Vërejtjet burojnë nga ekonomistë që vijnë si nga të majtët, të cilët besojnë se ndihma me mjete financiare nga FMNja dhe BB-ja është instrument i imperializmit, ashtu edhe nga konservatorët, të cilët thonë se ndihmat dhe kreditimi nga të dy këto institucione financiare janë pengesa që ndalojnë forcat e tregut të zgjidhin problemet ekonomike dhe të varfërisë. Borxhi i qeverive të shteteve pjesëtare në FMN dhe BB momentalisht është rreth 280 miliardë dollarë amerikanë dhe shume prej tyre janë detyruar të shesin asete të vlefshme, të mbieksploatojnë pasuritë nëntokësore dhe minerare dhe t ë reduktojnë shpenzimet publike për të paguar kreditë, sepse, për dallim prej bankave komerciale dhe investitorëve private, FMN-ja dhe BB-ja nuk pranojnë kurrfarë ulje të kamatave e as rinegocim të jetëgjatësisë së borxheve. FMN-ja kryesisht ofron kredi afatshkurtra nj ë deri trevjeçare, q ë zakonisht shfrytëzohen për të korrektuar deficitet buxhetore dhe kontrollet e importeve. Veprimet t ë cilat FMN-ja i rekomandon janë të natyrës shok-terapi dhe ndonjëherë ka mundësi që e vrasin vetë pacientin. Në të kaluarën FMN-ja ka bërë shumë rekomandime të mira si fjala bie privatizimin e ndërmarrjeve publike ose ndalimin e vënies së kontrollit të çmimeve duke lënë tregun të determinojë ato. Por ky institucion ka shkelur në dërrasë të kalbur disa herë. Ata, ka raste, kur kanë rekomanduar ndalimin e subvencioneve për ushqime, karburante dhe transportim ose, edhe me keq, kanë sugjeruar ngritjen e taksave dhe zvogëlimin e shpenzimeve kapitale – kombinacion ky që ngarkon fuqinë blerëse të konsumatorëve në ekonomitë në transicion dhe molis shpirtin e ndërmarrësve dhe bizneseve, që do të duhej të ishin lokomotiva e zhvillimit të ekonomisë së Kosovës. BB-ja punon në harmoni me FMN-në dhe ofron kredi më afatgjate – deri në 15 vjet, porse kreditë mund të shfrytëzohen vetëm për projekte në sektorë që prioritetizohen nga BB-ja vetë dhe që ofrojnë profit. Sipas të dhënave të BB-së p.sh. në vitet 90 nga 82 projekte në bujqësi rreth 45 për qind janë vlerësuar me rezultat të pakënaqshëm. Potenciali natyror dhe human i ekonomisë së Kosovës natyrisht që është premtues, por ekonomia në republikën e re duhet të ndërrojë kurs. Kosova, n ën administrimin e UNMIKU-t, për disa vite ka shënuar rritje ekonomike pozitive, edhe pse viteve te fundit trendi i rritjes ka qene negativ, porse ajo asnjëherë nuk është futur në rrugën e zhvillimit ekonomik. Rritja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik janë dy gjëra të ndryshme, prandaj qytetarët e Kosovës dhe qeveria e saj, ndonëse kanë nevojë të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, duhet të marrin frenat e fatit të tyre ekonomik në duart e veta. Realiteti ekonomik në Kosovë është i zymtë dhe lëmoshat, asistenca dhe ndihma e jashtme nuk mund ta ndryshojnë këtë realitet ashtu siç nuk munden vendimmarrësit nga jashtë Kosovës. Ekonominë e Kosovës mund ta qesin në binarë vetëm infuzioni i kapitalit të korporatave, kapitalit privat dhe investimet direkte të jashtme si dhe manaxhmenti i mirë i kreditit qeveritar në nivel qendror dhe komunal përmes emetimit te bonove dhe instrumenteve të tjera kreditore.
Kosova për shkak të së kaluarës ekonomike dhe pasurive të mëdha është sistem specifik ekonomik dhe duhet të ravijëzojë politika zhvillimore ekonomike që bazohen në autoktoninë dhe infrastrukturën ekonomike të veçantë të saj. Në këtë kontekst të veçantisë, kur është fjala te institucionet dhe këshillëdhënia e ndërkombëtarëve, duhet të punohet fillimisht me ekspertë vendorë ose të diasporës dhe nëse e domosdoshme të punohet me ndërkombëtarë, atëherë këta ekspertë të jashtëm duhet të angazhohen vetëm nëse pranojnë të paguhen për shërbimet e tyre bazuar në rezultatet e këshillëdhënies dhe nëse punojnë për institucione ekonomike të dëshmuara me projekte serioze dhe profitabile. Përndryshe, nëse njeriu shikon prapa në historinë e flirtit të Kosovës me ndërkombëtarët, prej vitit 1999 deri te deklarimi i pavarësisë, specialistët ndërkombëtarë që kanë aterruar në Prishtinë, në të shumtën e rasteve, del se kanë qenë parashutistë, të cilët kanë preferuar të mendojnë më shumë për vete se për ekonominë dhe mirëqenien e Kosovës.
Me pavarësinë e Kosovës koha ka ardhur që kursi i anijes ekonomike të Kosovës të ndryshohet kah limani i interesit të qytetarëve të saj dhe fair play-t në arenën e konkurrencës në tregjet e kapitalit, punës, teknologjisë dhe pasurive minerare dhe nëntokësore. Nëse anija vazhdon në drejtimin e tashëm, Kosova mund të mbetet një ishull i anashkaluar nga kapitali dhe zhvillimi ekonomik dhe lajmi i mirë i transmetuar në Wall Street me rastin e pavarësisë do të mbetet vetëm një lajm i humbur në kohë dhe hapësirë. Më në fund ekonomia e Kosovës duhet të dalë nga përgjumja, sepse tash fillon puna e madhe dhe e vërtetë që duhet të ketë një qëllim të vetëm – mirëqenien dhe standardin e lartë të jetesës ose në rast të kundërt pavarësia do të jetë një slogan i bukur dhe aq.
Marrur nga Koha Ditore / Shkruar nga Uk Lushi