Bujqësia tërheq investitorët austriakë

“Aktualisht prijnë investitorët nga Austria, por pritet një rritje e dukshme edhe e numrit të investitorëve nga Zvicra e Gjermania”, tha Kujtim Dobruna, udhëheqës i Zyrës për promovimin e investimeve në Kosovë me seli në Vjenë dhe të Iniciativës Ekonomike për Kosovë (ECIKS)

Prishtinë, 27 Shkurt 2008 – Investitorët austriakë shumë shpejt do të nisin investimet direkte në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore në Kosovë, për t’i eksportuar më pas ato produkte edhe në tregun austriak, ka bërë të ditur Kujtim Dobruna, udhëheqës i Zyrës për promovimin e investimeve në Kosovë, me seli në Vjenë dhe të Iniciativës Ekonomike për Kosovë (ECIKS).

Ai tha se sektorët e tjerë, të cilëve ua kanë mësyrë investitorët e rajonit gjermanofolës, janë përpunimi i metaleve, riciklimi i mbeturinave etj. Edhe sektori i teknologjisë informative ka qenë atraktiv për investitorët austriakë, të cilët para disa javësh kanë investuar në zhvillimin e softuerëve në Kosovë.

Dobruna tha se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në rritje numri i investitorëve potencialë për të investuar në Kosovë.

“Aktualisht prijnë investitorët nga Austria, por pritet një rritje e dukshme edhe e numrit të investitorëve nga Zvicra e Gjermania”, tha Dobruna.

Ai tha se ECIKS me mbështetjen e Bankës Botërore do të fillojë shumë shpejt me realizimin e një fushate edhe më intensive dhe të fokusuar për gjenerimin e investimeve. Dobruna tha se fillimisht do të promovojnë sektorin e bujqësisë dhe të përpunimit të ushqimit, pastaj sektorin e përpunimit të drurit.

“Më vonë do të fillohet edhe me promovimin e sektorëve të tjerë”, shtoi Dobruna. Sipas tij, zyra që tërheq investitorët austriakë për të ardhur në Kosovë deri më tash ka identifikuar 579 investitorë potencialë, 556 prej tyre Dobruna tha se i kanë kontaktuar.

”Shërbimet e zyrës sonë i kanë shfrytëzuar 71 prej tyre, kurse mbi 30 investitorë janë duke shfrytëzuar këto shërbime aktualisht”, tha Dobruna, duke shtuar se deri më tash kanë organizuar 35 vizita të investitorëve potencialë nga rajoni gjermanofolës.

“Nëntë nga kompanitë që i kemi mbështetur tashmë kanë investuar në Kosovë. Ndërsa nga projektet që i kemi identifikuar dhe përcjellë që nga faza fillestare, tashmë janë hapur 56 vende të reja të punës në Kosovë”, tha Dobruna.

Megjithatë ai tha se tërë kohën identifikojnë kompanitë, të cilat janë të interesuara të vijnë në Kosovë.

“Ne i kontaktojmë ato në mënyrë që t’i bindim për përparësitë dhe mundësitë e investimeve në Kosovë”, tha Dobruna.

Ai bëri të ditur se së shpejti Zyra për promovimin e investimeve në Vjenë do të organizojë në Vjenë një konferencë për mundësitë e investimeve në sektorin e energjetikës dhe të minierave.

“Ndërsa jemi në planifikim e sipër të ditës së dytë të investitorëve austriakë. Do të jetë ky një vazhdim i asaj që filloi vitin e kaluar, kur ECIKS organizoi vizitën e më se 30 kompanive austriake në Kosovë. Kësaj radhe besojmë se do të jetë më lehtë të sigurojmë numër edhe më të madh të pjesëmarrësve, ngase me zgjidhjen e statusit ka filluar të largohet njëra nga barrierat kryesore për investitorët e huaj – mungesa e sigurisë ligjore”, tha mes tjerash Dobruna.

Arbana Xharra / Koha Ditore