Synimi i Qeverisë së Kosovës: zhvillimi i sektorit privat

Gjatë konferencës njëditore “Mundësitë dhe sfidat e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimi i sektorit privat”, që u organizua nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Aleancën Kosovare të Biznesit, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka vlerësuar se ekonomia e Republikës së Kosovës ka shënuar hapa pozitivë, dhe se përkundër efekteve që problemet ekonomike globale kanë pasur në ekonominë vendore, projeksionet për rritjen ekonomike prej 7-8 % për vitin e ardhshëm janë mjaft shpresëdhënëse.

Me këtë rast, Beqaj ka theksuar se synim i Qeverisë së Republikës së Kosovës është zhvillimi i sektorit privat dhe se të gjitha ministritë që kanë marrë pjesë në hartimin e programit ekonomik janë involvuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në arritjen e këtij objektivi.

Si sfida për arritjen e këtij objektivi janë listuar vendosja e rendit në tërë vendin, infrastruktura ligjore, zvogëlimi i ekonomisë informale, rritja ekonomike deri në 8 %, ulja e papunësisë, zhvillimi i resurseve energjetike etj.

Nga Ministria e Infrastrukturës janë prezantuar projektet infrastrukturale, si autostrada Morinë-Merdare, Prishtinë- Hani i Elezit, Prishtinë- Pejë, Prishtinë – Mitrovicë, etj, të cilat sipas kësaj ministrie janë ndër aktivitet kryesore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural, Blerand Stavileci vlerësoi se një ndër sektorët kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend është bujqësia, të cilës kohëve të fundit po i kushtohet rëndësi e veçantë, duke e stimuluar atë me kredi dhe subvencione të ndryshme.

Edhe përfaqësuesit e biznesit kanë vlerësuar qasjen e Qeverisë për t’i dhënë më shumë mbështetje zhvillimit të sektorit privat.

/Koha/