Stuhitë rrisin çmimin e naftës

New York, 27 shtator 2004 – Çmimet ndërkombëtare të naftës janë përsëri drejt rritjes dhe gjatë ditëve të fundit në bursën e Nju Jorkut (NYMEX) çmimi ka njohur vetëm rritje. Të dhënat e ditës së djeshme që vijnë nga Korporata Ndërkombëtare Koreane e Naftës informojnë se vetëm dje çmimi i naftës së papërpunuar shënoi një rritje prej 0.42 dollarë në NYMEX krahasuar me një ditë më parë duke arritur në çmimin prej 48.88 dollarë për fuçi. Sipas raportit të Korporatës Ndërkombëtare Koreane të Naftës, ky është çmimi më i lartë i tregtimit të naftës që prej vitit 1983. Përveç kësaj njoftohet se edhe çmimi i naftës që nxirret në Detin e Veriut dhe kuotohet në bursën e Londrës ka pësuar një rritje të vogël prej 0.20 dollarë duke kapur çmimin prej 45.33 dollarë për fuçi.

Pavarësisht nga rritja e vogël, çmimi prej mbi 45 dollarë i ditës së djeshme shënon një rekord të ri që nga viti 1988. Një zëdhënës i korporatës kroate shpjegoi dje se “derisa të vazhdojnë sulmet e fortunave që pengojnë prodhimin e naftës në gjirin e Meksikës, atëherë dhe frika e Shteteve të Bashkuara për përdorimn e rezervave do të rritet”. Përveç kësaj, zëdhënësi korean ka përmendur dhe grevat e të punësuarve në sektorin e naftës në Brazil, të cilat kanë ndikuar në luhatjen e çmimeve të naftës. Po dje disa redaksi të lajmeve ekonomike dhe financiare të mediave në Amerikën e Veriut, duke u bazuar në të dhënat e Bloomberg kanë parashikuar se kompanitë e përpunimit të naftës në këtë vend mund të rrisin sasinë e blerjeve me qëllim që të rimbushin rezervat e tyre. Përsa i përket kësaj, të dhënat e marra në kompanitë e përpunimit në Amerikën e Veriut bëjnë të ditur se sasia e rezervave është më e ulëta gjatë 29 viteve të fundit dhe se çmimi mund të rritet mbi 50 dollarë për fuçi gjatë javës që vjen.

ECIKS / Shekulli