Skandal me Bankën e Kursimeve

Tiranë, 20 dhjetor 2003 – Banka “Raiffeisen” e Austrisë është shpallur mbrëmë papritur fituese e tenderit për privatizimin e Bankës së Kursimeve. Sipas Ministrisë së Financave, oferta e austriakëve ishte 126 milionë dollarë, por vetëm 96 milionë dollarë do t’i jepen realisht shtetit shqiptar, sepse për pjesën tjetër austriakët deklarojnë se do ta investojnë “për hapjen e një dege të bankës së kursimeve në Kosovë”.

Kjo lojë shifrash dhe ndryshimi i kushteve të konkurrimit në minutat e fundit, ka ngjallur dyshime të forta dhe pakënaqësi tek përfaqësuesit e bankës hungareze. Oferta e tyre nuk është marrë parasysh, sepse Ministria jonë e Financave i ka skualifikuar fare papritur në momentin e fundit, duke u vënë si kusht paraqitjen e një dokumenti që me sa duket ishte i pamundur të përgatitej brenda një kohe kaq të shkurtër.

Përfaqësuesi i kësaj banke që ka mbërritur dje në Tiranë, Lazlo Wolf, tha në një komunikim me mediat se ishte i befasuar, duke e quajtur joserioze atë që kishte ndodhur. Ai deklaroi se qeveria shqiptare “ndryshoi kushtet e konkurrimit në momentin e fundit”.

Zarfi i bankës hungareze përmbante ofertën 124 milionë dollarë, të cilën OTP kishte premtuar ta jepte të gjithë “kesh” në dorë. Duke patur parasysh se austriakët do të japin realisht vetëm 96 milionë dollarë, i bie që oferta e hungarezëve është rreth 30 milionë dollarë më shumë.

Në fakt, i gjithë procesi i këtij konkurrimi mes austriakëve dhe hungarezëve për bankën tonë të kursimeve, për përfaqësuesit e OTP-së ka qenë vazhdimisht i kompromentuar. Gjatë vizitës së një grupi gazetarësh në selinë qendrore të kësaj banke në Budapest, Lazlo Wolf shprehu pakënaqësinë e tij për zërat që qarkullonin prej kohësh në Tiranë se pavarësisht ofertave, ishte vendosur që Banka e Kursimeve t’u jepej austriakëve.

Vetë Ministria e Financave. 24 orët e fundit ka qenë fare e paqartë lidhur me kohën e hapjes së zarfave dhe përballjes së ofertave. U paralajmërua fillimisht se fituesi do të shpallej ditën e mërkurë, pastaj u shty për ditën e premte. Dje në mesditë, papritur bankave pjesëmarrëse iu kërkua një dokument shtesë, dokument i cili u paraqit në kohë vetëm nga banka austriake. Pas mbërritjes së tij, ministri i Financave ka dalë në një deklaratë për shtyp dhe ka deklaruar se Banka e Kursimeve u shit. Hungarezët u skualifikuan sepse sipas ministrisë “nuk paraqitën në kohë dokumentin e kërkuar”. Zarfi i tyre nuk u hap megjithatë oferta u mor vesh pak orë më vonë.

Banka e Kursimeve është banka më e madhe e nivelit të dytë në Shqipëri. Dy konkurrentet, Banka e Hungarisë OTP dhe ajo austriake, “Raiffeisen International Beteiligungs AG”, në 20 tetor të këtij viti bënë kërkesën zyrtare për parakualifikim dhe tre-katër ditë më pas Komisioni i Vlerësimit i kualifikoi të dyja, duke i hapur kështu rrugën procesit të due-diligence (vëzhgimit nga afër të situatës financiare të bankës). Në fillim ishte banka austriake “Raiffesien”, e cila gjatë 1 jave, me ndihmën e personelit të bankës zhvilloi procesin e due-diligence, për t’ia lënë më pas vendin bankës hungareze OTP, për të bërë vlerësimet e saj.

Privatizimi i bankës më të madhe të nivelit të dytë në sistemin bankar shqiptar është cilësuar nga bota ekonomike shqiptare si ngjarja më e rëndësishme ekonomike e vendit.

Ecuria e procesit të privatizimit të BK-së

Privatizimi i Bankës së Kursimeve ka dështuar disa herë deri tani. Në dhjetor të vitit 1999, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për formën dhe formulën e privatizimit të BK-së, sipas të cilit privatizimi do të realizohet nëpërmjet shitjes deri në 100% të aksioneve nëpërmjet një kombinimi ndërmjet investitorit strategjik (jo më pak se 35% të aksioneve), institucioneve financiare ndërkombëtare (jo më shumë se 49% të aksioneve) dhe biznesit privat vendas (deri në 24% të aksioneve). Në fund të muajit qershor 2001 Ministria e Financave shpalli hapjen e tenderit ndërkombëtar, ku faza parakualifikuese (përcaktimi i shortlistës) duhej të përfundonte brenda muajit shtator 2001, por për arsye të një niveli të pamjaftueshëm të shprehjes së interesit nga ana e investitorëve strategjikë në privatizimin e bankës, ky tender nuk u realizua. Në këto kushte u pa e arsyeshme që tenderi të shtyhej për në fundin e majit 2002. Tenderi u organizua në qershor 2002 dhe dështoi për arsye se bankat “Intesa” dhe “San Paolo” u tërhoqën prej tij. Si përfundim tenderi u la brenda vitit 2003.

Cilat janë bankat e interesuara për blerjen e Bankës së Kursimeve?

Banka Hungareze OTP, është banka me e madhe e Hungarisë. Ajo është krijuar në vitin 1949, ka kaluar në disa etapa ristrukturimi, për të kaluar në privatizim të plotë ne vitin 1992, duke u kthyer momentalisht ne banken me te fuqishme të sistemit bankar hungarez. Gjate periudhes kohore 1995-deri ne gjysmën e pare te vitit 2003, OTP, sipas IFRS ( Institut i Standardeve Nderkombetare te Raportimit Financiar), fitimet u rriten nga 7.5 miliardë në 41.2 miliardë dhe duke dale nga nje humbje prej 1.5% ne nje fitim prej 29.2% deri ne 30 qershor 2003. Pjesa e tregut qe ze banka ne sistemin bankar hungarez eshte 20.1%. Ne kuadrin e konkurences ne rritje, banka me e madhe e Hungarise ariti te ruante poziten e saj kryesuese ne fushën e shërbimeve për klientët me pakice si dhe per bashkite e pushtetit lokal, nderkohe qe rriti pjesen e saj te sektorit te biznesit dhe te firmave, ku ajo ze sot gjithashtu nje nga pozitat me te larta. Qe kur banka OTP u fut ne tregun nderkombetar ne vitin 1995, bursa ka vleresuar arritjet gjithnje e ne përmiresim te saj, me nje çmim aksionesh qe eshte rritur ne menyre dinamike dhe duke u vleresuar sot sipas bursave nderkombetare me nje shifer prej 3.7 miliardë dollarë. Aksionet e Bankes ne bursa kane shenuar aktualisht nje rritje prej 25 here, duke deshmuar për besimin e investitoreve si dhe parashikimet e tyre pozitive. Revista nderkombetare “Euromoney”, i akodroi Bankes OTP titullin “Banka me e mire ne Hungari”. Arsyet e dhënies se ketij titulli, lidhen me blerjet e suksesshme te bankave, që ka bërë ajo në Bullgari dhe Sllovaki. Gjate vitit 2002 banka bleu banken IRB te Sllovakise si edhe aksionet e bankes me te madhe bullgare ne maj 2003.

Grupi bankar Austriak “Raiffeisen”, e ka marrë emrin nga themeluesi i shoqatës së parë kooperative bankare në 1862 në Anhausen (Gjermani), Friedrich Wilhelm Raiffeisen. Në vitin 1886 filluan aktivitetin aktivistët e parë të grupit bankar austriak “Raiffeisen në Rosswein” (Slloveni) dhe “Muhldorf” (Austri). Gjatë më shumë se 140 viteve ky grup ka pasur një rritje të aktivitetit të tij. Ndër blerjet më të suksesshme të tij janë; në vitin 2000 blerja e “Market Banka” në Bosnjë-Hercegovinë, në 2001 blerja e HPB dhe Banka “Agricola”, dhe në vitin 2002 blerja e “Bank of Kosovo”. Sot “Raiffeisen” zë 25.5% të tregut bankar austriak, zotëron 28.2% të depozitave, 22.1% të kredive dhe 28.9% të fondeve të menaxhuara. Rreth 41% të austriakëve mbi 15 vjeç janë klientë të kësaj banke. “Raiffeisen” ofron shërbime për individët dhe kompanitë në shumë shtete të rajonit. Në 30 qershor 2003 pasuria totale e saj ishte 50.453 milionë euro, fitimi para tatimit ishte 165.9 milionë euro dhe raporti të ardhura/shpenzime 70.9%. Në çmimet ndërkombëtare të fituara në vitin 2003 përfshihen: “Banka më e mirë e vitit” nga The Banker; “Banka më e mirë në Sllovaki” nga Euromoney; “Banka e vitit ne Bjellorusi” nga The Banker etj.

ECIKS / Shekulli