Prishtinë, KOSOVË – Tri të katërtat e rrugëve lokale, nëpër komuna të Kosovës, do të shtrohen sivjet, sipas parashikimeve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit.
Shtrimi në asfalt i së paku dyqind e njëzet kilometrave rrugë lokale do të financohet bashkërisht nga ministria e komunat, mirëpo barrën më të madhe financiare do ta marrë ministria që nga buxheti i saj do të ndajë 78 për qind të mjeteve, komunat dhe komunitetet me 22 për qind, ka thënë shefi i kabinetit të ministrit të MTPTsë, Endrit Shala.. Brenda programit të ndërtimit të rrugëve në bashkëfinancim me komunat Ministria e Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit të Kosovës ka nënshkruar 74 marrëveshje për po aq projekte rrugësh me një gjatësi totale rreth 220 km.
Këto rrugë do t’i kushtojnë ministrisë vetëm 15,5 milionë euro nga buxheti i saj i tërësishëm për rrugët, 101,5 milionë euro. Vitin e kaluar, për asfaltimin e rrugëve në njëmbëdhjetë komuna ishin ndarë 1,6 milionë euro. Megjithatë, pjesa më e madhe e investimeve, në bazë të planit të shpenzimeve të kësaj ministrie të aprovuar në buxhet, 62,3 milionë euro do të shkojnë për rehabilitimin e rrugëve ekzistuese.
“Rrugë të reja janë planifikuar të ndërtohen rreth njëzet, që përfshijnë shumë rrugë magjistrale dhe rajonale me një shpërndarje të gjerë nëpër tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Shala. Vitin e kaluar, nga 30 milionë euro që kanë qenë të ndara për infrastrukturë rrugore vetëm 18 milionë janë realizuar, ndërsa projektet e mbetura janë bartur dhe presin të realizohen këtë vit.
Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se këtë vit përpos rrugëve të reja që kanë hyrë në projekt ata do t’i realizojnë deri në fund të vitit edhe projektet e 2007-s për komunat Kamenicë, Istog, Skenderaj, Gjilan, Obiliq, Prishtinë dhe Lipjan.
Gjithashtu edhe në Komunën e Pejës në mungesë të fondeve janë bartur për këtë vit njëzet e një projekte të infrastrukturës rrugore të parapara të realizohen gjatë viti 2008. Autoritetet komunale në Pejë thonë se katër sosh tashmë kanë përfunduar, ndërkohë që në procedurë të tenderimit janë edhe 19 të tjera, të cilat bashkë edhe me listën prioritare për këtë vit kalojnë shifrën prej 44 rrugësh që pritet të asfaltohen. Numri një i çështjeve komunale dhe punëve teknike, Osman Dinaj, ka thënë se realizimi i këtyre projekteve është i sigurt meqë tashmë ata kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara me Ligjin e prokurimit dhe janë siguruar mjetet financiare. “Një milion e 69 mijë euro janë për projektet e vitit të shkuar të bartura këtë vit dhe 907 mijë euro për projektet prioritare të planifikuara për sivjet, janë siguruar dhe të gjitha punimet do të përfundojnë me kohë”, ka thënë Dinaj.
Sa i përket cilësisë së punëve të bëra në infrastrukturën rrugore të kësaj komune, të cilat shpesh janë dëmtuar pas një kohe të shkurtër, ai ia hedh fajin MTPT-së, duke thënë për të se lëshon licenca prodhuesish e importuesish të asfaltit pa kontrolluar ndonjëherë cilësinë e tij. “Është e vërtetë se shumë rrugë shumë shpejt dëmtohen dhe kjo do të ndodhë gjithnjë përderisa ministria nuk bëhet me laborator për ta kontrolluar cilësinë e asfaltit”, thekson Dino.
Në Komunën e Ferizajt kanë filluar të shpallen tenderët për asfaltim të rrugëve derisa disa të tjera janë në përfundim të vlerësimit të prokurimit dhe në fillim të muajit maj do të fillojnë punimet.
Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Besim Zymberi, thekson se tashmë janë shpallur tenderët për asfaltimin e rrugëve për fshatin Jezerc, të Lagjes së Musajve në Varosh, dhe në dalje të qytetit të rrugës së Reçakut.
Marrur nga koha Ditore