Prishtinë, 26 prill 2004 – Tani autoritetet mbikëqyrëse të sigurimeve në Shqipëri dhe Kosovë do ta kenë më të lehtë sigurimin e informacionit në lidhje me veprimtarinë e sigurimeve në dy vendet. Këto ditë është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi midis Komisionit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Shqipëri (KMS) dhe Autoritetit Bankar dhe Pagesave të Kosovës (BPK). Këto palë do të shkëmbejnë informacion konfidencial midis tyre, çka do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe “luftën kundër pastrimit të parave në fushën e sigurimeve”, ashtu si ka deklaruar disa ditë më parë kryeprokurori i përgjithshëm Theodori Sallaku.
Memorandumi ndihmon në krijimin e procedurave të lehta për organizimin e kontrolleve të dyanshme për kompanitë e sigurimit në vendin ku kanë selinë qendrore apo degët e tyre në vendin tjetër.
Në memorandum përfshihet shkëmbimi i informacionit në lidhje me kontrollin e menaxhimit dhe strukturës së biznesit, kontrollin e pronësisë (aksionerëve), likuiditetit që duhet të mbajnë kompanitë etj. Gjithashtu, në të theksohet kooperimi për vlerësimin e rreziqeve të tregut dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve (personat që janë të siguruar në kompanitë që operojnë në dy vendet).
Nga ana tjetër, ky memorandum do të krijojë mundësinë për lehtësimin e procedurave për shtrirjen e kompanive kosovare të sigurimit në Shqipëri dhe zgjerimin e mëtejshëm të atyre shqiptare në Kosovë.
Gjithashtu, ai do të nzisë veprimtarinë ndërkufitare në sigurime, risigurime dhe ndërmjetësimin e këtyre veprimtarive në të dyja vendet, si dhe shkëmbimin e stafit, eksperiencave etj.
ECIKS / Biznesi