Përmirësohen prognozat ekonomike botërore

Washington – Kjo si pasojë e perspektivës së zhvillimit të mirë, në vecanti në SHBA dhe në Azi, ndërkohë që zona evropiane shënon një rritje shumë më të vogël. Më e fundit në këtë zonë është Gjermania me prognozat për vetëm dy përqind të rritjes ekonomike. Ekspertët e FMN janë të mendimit se ka nevojë për korrigjime të rëndësishme të prognozave të zhvillimit ekonomik për këtë vit. Rritja e filluar ekonomike në vitin e kaluar po shënon edhe më tej rezultate të mira. Shefi i ekspertëve ekonomik, Raguram Rajan thotë: “Ekonomia botërore gjendet në një fazë të zhvillimit të mirë dhe të lartë. Treguesit e rritjes ekonomike që kemi parashikuar para një gjysmë viti, ndërkohë janë tejkaluar në shumë rajone të botës. Volumi i përgjithëshëm tregtar në mbarë botën është shtuar, ndërsa rimëkëmbja ekonomike në SHBA dhe në Azi është më e lartë se që është parashikuar. Ekonomia e Japonisë po shënon rritje të cilat nuk ka shënuar që nga viti 1996”.

Për këto shkaqe, FMN ka korrigjuar prognozat e rritjes ekonomike për gjysmë përqind dhe tashti parashikohet që në përmasat botërore këtë vit të shënohet rritje prej 4,6 ndërsa vitin e ardhëshëm 4,4 për qind.

Më pak e përshtatshme vlerësohet perspektiva ekonomike në zonën evropiane. Në këtë rajon gjatë këtij viti pritet një rritje prej 1,7 për qind. Ndërkohë që prognozat për vitin e ardhëshëm parashikohet rritje prej rreth dy përqind. Vendi me zhvillimin më të vogël ekonomik në këtë periudhë do të jetë Gjermania, me 1,6 për këtë, respektivisht 1,9 përqind rritje ekonomike për vitin e ardhëshëm. Raguram Rajan flet për shkaqet e një zhvillimi të këtillë.

“Edhe në Evropë pritet përmirësimi i gjendjes, ndërsa Gjermania ka kryer disa prej detyrave të shtëpisë. Ajo ka reformuar sistemin e punës dhe të pensioneve. Por axhenda 2010 ende nuk ka përfunduar. Reformat e mëtejme me siguri që do të ndihmonin Gjermaninë”, thotë ai.
Ekspertët e FMN thonë se një element shqetësues janë kërcënimet prej sulmeve terroriste. Këta ekspertë kritikojnë edhe deficitin buxhetor në SHBA, i cili në shtigje afatmesme mund të shkaktojë probleme shtesë.

ECIKS/Dwelle