Shtrenjtimi i karburanteve ndikon edhe në çmime tjera

PRISHTINË, 26 NËNTOR – Rritja e fundit e çmimeve të naftës do të reflektohet në çmimet e produkteve të tjera, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë. Mbi 73 mijë familje të shërbyesve civilë, me një pagë mesatare prej 175 euro, do ta kenë shumë vështirë t’i përballojnë kostos së lartë të jetesës, karshi ngritjes drastike të çmimeve të konsumit, thonë ata. Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Rrustem Asllani, vlerëson se Kosova po thellohet në një krizë të rëndë ekonomike, duke llogaritur shkallën e ulët të të ardhurave për kokë banori dhe shpenzimeve. Asllani pohon se shtrenjtimit e kanë gjetur Kosovën të papërgatitur, pasi që Qeveria ka lënë anash përgatitjen e strategjisë emergjente, duke u dhënë më tepër pas zhvillimeve politike. Ai thotë se shtrenjtimi i naftës do të reflektohet në të gjitha mallrat e tjera dhe se ka gjasa të ngrihen çmimet e artikujve të tjerë edhe më tej, meqenëse nafta përfaqëson bazën e zhvillimit të aktiviteteve të biznesit.

“Derivatet e naftës reflektohen në të gjitha mallrat e tjera, meqenëse ato përfaqësojnë bazën e zhvillimit të aktiviteteve biznesore. Është e natyrshme pas shtrenjtimit në nivel botëror, Kosova si vend joprodhues i naftës të ndikohet më tepër”, thekson Asllani. Sipas tij, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të Kosovës, shumë qytetarë do të detyrohen ta braktisin udhëtimin me vetura dhe këtë do ta zëvendësojnë me mjetet e transportit publik, për shkak të kostos më të lirë.

Në tregun e veturave në Prishtinë, shumë pak qytetarë interesohen të blejnë vetura luksoze, por kërkojnë vetura me shpenzime të ulëta dhe ekonomike.

Megjithatë, në pikat e shitjes së karburanteve në Kosovë çmimet e naftës kanë arritur në 1.15 euro, ndërsa ato të benzinës në 1.15 euro, e që sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës parashihet ngritje të mëtejshme deri në 1.50 euro për naftën.

Kreu i naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi, ka theksuar se në bursat ndërkombëtare çmimi për barel është ngritur në afro 100 dollarë dhe kjo në mungesë të rezervave të importuesve kosovarë, është reflektuar menjëherë në treg. “Me gjithë bisedat me tregtarët, për ta mbajtur çmimin e ulët, për disa ditë nafta e kaloi shitjen e shumicës, pasi që nuk kishte rezerva”, pati theksuar Bytyçi. Sipas tij, frika tjetër që ka kapluar vendet prodhuese të naftës në rajon, prej nga furnizohen importuesit kosovarë, është edhe sulmi i mundshëm i SHBA-së mbi Iranin, që si pasojë mund të ngrihet çmimi i karburanteve edhe më shumë.

Në anën tjetër, në tregun botëror çmimet e naftës kanë arritur rekordin prej 99.29 dollarësh për barel. Analistët e tregut të naftës thonë se stabilizimi i çmimeve do të bëhet vetëm në rast se rafineria e naftës “OPEC” e rrit prodhimin më shpejt sesa që pritet, ndryshe konfliktet e mundshme në botë nuk do të ndikojnë në zbritjen e tyre. “Oil Movements”, një firmë transportuese e naftës me qendër në Britani të Madhe, ka raportuar që “OPEC” pritet të rrisë eksportin për afro 720 mijë barelë në ditë në katër javët e ardhshme. Çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rritur për 43 për qind nga gushti në nëntor, për shkak të rënies së rezervave, kërcënimit për uljen e prodhimit jashtë vendit dhe blerjeve spekulative.

Çmimi i mazutit, siç raporton “Nymex”, është rritur për 0.18 centë deri në 2.7 dollarë për një galon, përderisa çmimi i benzinës është rritur për 1.70 centë deri në 2.4 dollarë për galon. Gjithashtu, edhe kontratat që kompanitë duan të lidhin për furnizim në të ardhmen për gazin natyror janë për 22.3 centë më të larta.

ECIKS / Marrë nga Koha Ditore