ECIKS sjellë investimet e para në IT

Vjenë, 3 dhjetor 2007 – Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), që përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve në rajonin gjermanofolës, vazhdon të sjellë investitorë të rinj në Kosovë.

Një projekt që ECIKS ka identifikuar në vitin 2005 e që parasheh zhvillimin e softuerit në Kosovë për nevojat e kompanive austriake, është tashmë në fazën e realizimit. Kompania e njohur austriake “Wertheim” do të investojë në Kosovë në zhvillimin e një pakete të sofistikuar softuerike për kontrollimin dhe menaxhimin e kasafortave bankare. Softueri, që do të zhvillohet gjatë dy viteve të ardhshme nga kompania kosovare “Rrota”, përveç menaxhimit të klientëve do të mundësojë edhe qasjen e klientëve në kasaforta përmes të dhënave biometrike.

Përmes këtij investimi, vlera e të cilit arrin në 300.000 Euro, drejtpërsëdrejti do të hapen gjashtë vende të reja të punës dhe do të mundësohet transferimi i dijes dhe teknologjisë moderne përmes seminareve të organizuara në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe me Odën Ekonomike të Kosovës. I tërë projekti do të realizohet me përkrahjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), e cila do të marrë përsipër një pjesë të investimit.

Është ky një projekt jashtëzakonisht prestigjioz që do të kontribuojë në promovimin e investimeve dhe të outsourcing në Kosovë. Kasaforta të prodhuara nga kompania Wertheim përdoren në mbi 400 filiale të bankave në Austri, Zvicër, Kroaci e Sllovaki, kurse softueri që kontrollon dhe mundëson qasjen e klientëve në kasaforta tash e tutje do të prodhohet në Kosovë nga kompania “Rrota”.

ECIKS që nga viti 2005 ka veçuar sektorin e teknologjisë informative dhe të bujqësisë si sektorë me shumë potencial për investime të huaja. Ky është projekti i parë i realizuar në sektorin e IT-së e që është identifikuar dhe përkrahur nga ECIKS që nga fillimi. Në ndërkohë, zyra e IPAK/ECIKS në Vjenë mbetet e angazhuar në mbështetjen e projekteve tjera serioze, të cilat pritet të realizohen gjatë muajve të ardhshëm, si dhe një numri të madh të projekteve për të cilat ende kërkohen investitorë të huaj.

ECIKS (Komunikatë për shtyp)