Shteti humb çdo vit 80 milionë USD nga cigaret kontrabandë

TIRANË, 20 TETOR 2003 – Administrata tatimore humb çdo vit mbi 80 milionë dollarë nga kontrabanda e cigareve. Edhe pse Shqipëria zë vendin e dytë të konsumit të cigareve në të gjithë Evropën, pas Turqisë që është e para, ajo importon çdo vit rreth 9-10 mijë ton cigare. Ndërsa Maqedonia dhe Greqia që nga konsumi i cigareve renditen shumë larg vendit tonë, prodhojnë mesatarisht rreth 27 mijë ton cigare në vit. Sipas prodhuesve të cigareve në Shqipëri, këto statistika tregojnë qartë se kontrabanda në vendin tonë është në nivele shumë të larta.

Sipas statistikave zyrtare në vendin tonë zhdoganohen mesatarisht 2500 ton cigare, shifër kjo që tregon mjaft qartë se jo më pak se 7 mijë tonë cigare kanë hyrë kontrabandë. Prodhuesit e cigareve tregojnë se kontrabanda shkakton një dëm ekonomik prej 54.3 milionë dollarë, para këto që nuk arkëtohen nga administrata doganore për llogari të buxhetit të shtetit.

Prodhuesit vendas akuzojnë qeverinë se ajo ka ndërmarrë politika diskriminuese ndaj industrisë së duhan -cigareve, e cila që prej datës 1 korrik ka ndërprerë prodhimin e duhan-cigareve. Sipas të dhënave të bëra publike nga Bashkimi i Investitorëve dhe Industrialistëve të Shqipërisë, rreth 75 për qind e cigareve të importit hyjnë kontrabandë. Fare mirë këto cigare mund të dallohen edhe në treg, ku ato tregtohen pa pullë fiskale dhe fshihen poshtë banakëve të dyqaneve.

Por shqiptarët tashmë e kanë mësuar që në treg qarkullojnë cigare kontrabandë, duke kërkuar në treg pikërisht ato që janë pa pullë, të cilat konsiderohen edhe origjinale. Prodhimi, importi dhe tregtimi i cigareve në të gjitha shtetet e botës konsiderohet si malli më i kontrolluar, ndërsa në Shqipëri është krijuar një përshtypje jo reale, duke u mbështetur vetëm në rritjen e shifrave të zhdoganimit të cigareve dhe jo në krahasimin e shifrave me konsumin real, sqarojnë biznesmenët.

ECIKS / Shekulli