Shqyrtohet strategjia e zhvillimit 2007-2013

Prishtinë, 18 dhjetor 2006 – Sundimi i ligjit, infrastruktura, resurset njerëzore dhe ato natyrore janë 4 shtyllat në të cilat do të bazohet strategjia e zhvillimit të Kosovës për periudhën 2007 – 2013. Kjo u bë e ditur pas takimit të Këshillit Drejtues të Strategjisë Zhvillimore të Kosovës ku edhe u shqyrtua draft dokumenti i parë i Strategjisë. Dokumenti pritet të miratohet deri në fund ta janarit, ndërsa Kryeministri Çeku e sheh atë si “marshall plan” për zhvillimin e Kosovës.

Kryeministri Agim Çeku vlerësoi se Draft-dokumenti i Strategjisë së Zhvillimit të Kosovës, për periudhën 2007-2013, i jep një përgjigje sfidave të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe kërkesave të qytetarëve. Çeku tha se strategjia jep një orientim për zhvillimin e Kosovës në periudhë. Sipas tij, zhvillimi ekonomik i Kosovës për këtë periudhë bazohet në katër shtylla kryesore. “Në radhë të parë në sundimin e ligjit, në radhë të dytë në infrastrukturë, radha e tretë është kapitalizimi i resurseve që i kemi, resurset më të mëdha tonat janë popullata e re, dinamike e talentuar dhe përmes edukimit ta kapitalizojmë dhe mandej resurset tjera natyrore dtth që janë rezervat tona të linjitit në sektorin e energjisë”, tha kryeministri Çeku. Për koordinatorin e hartimit të këtij dokumenti, Muhamet Sadikun, kjo strategji do të jetë një skenar reformues i rritjes ekonomike të Kosovës në të ardhmen e që mendohet të jetë rreth 5%. Ky është aspekti më i rëndësishëm thotë Sadiku, ndërsa pohohn se prioritet mbi prioritete është rritja e qëndrueshme ekonomike e cila gjeneron punësim.” Çdo strategji që do të del në sipërfaqe duhet ta adresojë problemin e papunësisë në Kosovës, sepse prosperiteti ekonomik në Kosovë nënkuptohet vetëm atëherë nëse hapen vende të reja të punës”, tha ai. Draft-dokumenti i strategjisë së zhvillimit të Kosovës do t’i kalojë qeverisë. Ajo do ta shndërrojë atë në draft final, i cili më pas do të del në diskutim publik dhe në fund do të miratohet nga Kuvendi. Sipas kryeministrit Çeku, kjo procedurë do të finalizohet në fund të janarit, ndërsa ky “marshall plan“ i zhvillimit të Kosovës do të prezantohet edhe në konferencën e donatorëve menjëherë pas zgjidhjes së statusit.

RTK / ECIKS