Kosova nënshkruan zgjerimin e CEFTA-s

Bukuresht, 19 dhjetor 2006 – Prej sot Kosova është pjesë e CEFTA-s, Asociacionit të Evropës Qendrore për Tregti të Lirë. Në emër të Kosovës dokumentin e ka nënshkruar kryeadministratori Joakim Ryker, ndërsa i pranishëm ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli. Ministri Dugolli tha, për RTK, se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova, sikurse edhe vendet e rajonit të Ballkanit, bëri në hap përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Integrimi i Kosovës në tregun rajonal shënon një ndër të arriturat më të mëdha për vendin tonë, sepse krijon mundësi për zgjerim të shkëmbimeve tregtare, por edhe për investime të huaja. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli, i cili ishte i pranishëm në Bukuresht të Rumanisë, ku u nënshkrua marrëveshja, tha se tregtia e lirë hap perspektivë për të gjitha vendet e rajonit. ”Nga të gjithë pjesëmarrësit kjo marrëveshje është cilësuar si e arritur e madhe për vendet e rajonit, sepse rajoni po bën një hap para drejt integrimit në BE. Me këtë marrëveshje do të përfitojë konsumatori kosovar, do të përfitojnë edhe investimet e huaja në vendin tonë dhe në vendet tjera”, tha Dugolli.

Përfshirja e Kosovës në këtë marrëveshje rajonale rezulton nga angazhimi i përbashkët i UNMIK-ut, Paktit të Stabilitetit dhe Komisionit Evropian. Ministri Dugolli shfaqi shpresën se zbatimi i saj nuk do të ketë vështirësi. ”Implementimi do të fillojë nga muaji maj i vitit të ardhshëm dhe nuk besoj se do të ketë vështirësi. Secili shtet që ka pranuar të bëjë këtë marrëveshje unike është i obliguar që t’i zbatojë parimet e tregtisë të bazuar në këtë dokument dhe në parimet e OBT-së” tha ai]
Kjo marrëveshje do të zëvendësojë 32 marrëveshje dypalëshe tregtare në rajonin e Ballkanit dhe përfshin një treg prej 30 milion banorësh.

Përveç Kosovës, pjesë e CEFTA-s prej sot janë edhe Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Moldavia. Ndryshe, Asociacioni është themeluar në vitin 1992 me nismë të Çekisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë.

RTK / ECIKS