Shqipërisë 25 milionë euro për integrim në BE

Tiranë, 17 shkurt 2004 – Është deklaruar tashmë nga të gjithë përfaqësuesit e qeverisë se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të ketë kosto për të gjithë shqiptarët. Fundjavën e kaluar ministri i Financave Arben Malaj është shprehur në një konferencë për shtyp mbi kostot financiare që do të ketë ekonomia me hyrjen e vendit në BE. Sipas Malajt, këto elemente të kostos në procesin e integrimit kanë të bëjnë me humbjen e të ardhurave doganore, për shkak të aplikimit të politikave të reja tregtare, të cilat sjellin rënien e të ardhurave doganore. “Për të ulur efektin e këtyre kostove qeveria shqiptare ka bërë një kërkesë pranë Brukselit që për një periudhë afatmesme të përfitojë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore”, tha Malaj. “Ky proces mbështetjeje tashmë ka nisur me një shumë të drejtpërdrejtë prej 25 milionë eurosh të dhënë nga Bashkimi Europian. Kjo shumë është dhënë në mënyrë që të mos ngadalësohen hapat e rritjes së ekonomisë, por njëkohësisht të mos cënohet konsolidimi fiskal i financave publike”.

Nga ana tjetër ka qenë dhe ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi ajo që ka thënë se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE nuk mund të bëhet i mundur vetëm me punën e qeverisë pasi “për realizimin e tij duhet të punojnë të gjithë”. “Ky nuk është një proces simbolik dhe kërkon një punë nga të gjithë aktorët: qeveri, biznes, sistem bankar, edhe vetë shoqëria civile shqiptare”, është shprehur ajo. Sipas saj, çdo kush nga këta aktorë do t’u duhet të paguajnë një kosto, dikush më shumë e dikush më pak.
Cilat do të jenë impaktet tek qytetarët?

“Procesi i integrimit të Shqipërisë për vetë shqiptarët do të shoqërohet me impakte pozitive në jetën e tyre të përditshme, qoftë për ritmet e shpejta të rritjes së ekonomisë, qoftë për investimet më të mëdha që do të ketë ekonomia shqiptare”, është shprehur ministri Malaj. Sipas tij, qeveria është duke bashkëpunuar me ekspertë të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, për të mos cënuar bizneset shqiptare nga ky integrim, për shkak të konkurrencës së ashpër me vendet europiane. “Ajo është e gatshme të përballojë koston e momentit dhe të garantojë për shqiptarët përfitimet afatgjata të këtij procesi”.

ECIKS / Biznesi