Meremetohen rrugë në rajonin e Gjilanit

Gjilan, 17 shkurt – Projekti i rrugës së gjatë 8 kilometra financohet nga Ministria e Transporteve dhe Telekomunkacionit, në vlerë 527 mijë Euro, ndërsa realizohet nga kompania vendore “Bejta Comerc” e Gjilanit.

Halit Zymberi, drejtor i Shërbimeve Publike tha se rregullimi i kësaj rruge ka rëndësi të madhe jo vetëm për banorët e kësaj treve, por edhe për komunën e Gjilanit, sepse hapë perspektivë për zhvillimin e Grykës së Karadakut. Në fazën e dytë parashihet asfaltimi i rrugës Gjilan – Stançiq, e cila, sipas parallogarisë do të kushtojë mbi 11 milionë euro, por që i krijon Kosovës mundësi të kyçjes në koridorin e tetë ndërkombëtar në relacion më të shkurtër, përmes Kumanovës.

Punimet në këtë rrugë kanë ngjallur shpresat e mbi 10 mijë banorëve të Grykës së Karadakut se një ditë mund të kthehen në vendlindjen e tyre, të cilën janë detyruar ta braktisin për shkak të kushteve të vështira për jetë.

Pronari i kompanisë “Bejta Comerc”, Bejtullah Kçiku thotë se në bazë të projektit do të bëhet zgjerimi i rrugës, hapja e kanaleve anësore për ujëra, vendosja e gypave dhe përgatitja e saj deri në fazën për asfaltim. Në të ardhmen e afërt, kjo rrugë do të jetë e nivelit ndërkombëtar dhe mjaft e rendësishme jo vetëm për Gjilanin dhe Kosovën, por edhe rajonin.

ECIKS / QIK