Prishtinë, 16 shkurt 2004 – Privatizimi duhet të vazhdojë menjëherë, mirëpo ne nuk pajtohemi me shumë nga propozimet e reja të menaxherëve të AKM-së për privatizimin. Kështu ka thënë në një intervistë me agjencinë Kosovalive, kreu i USAID-it për Kosovë, Dejl Fajfër. Qëndrimi amerikan është se privatizimit duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur.
“USAID-i nuk është pajtuar me shumë nga propozimet që menaxhmenti i ri i AKM-së ka propozuar për ndryshimin e procedurave. Mund të bëhen disa ndryshime por jo të gjitha. Ne jemi për atë që sistemi mund të përmirësohet, por nuk mendojmë se i tërë privatizimi duhet të ndalohet për tu arritur këto. Ne nuk pajtohemi me shumë nga propozimet që tani ndodhen në tavolinë për ndryshime”, tha Fajfër, duke komentuar iniciativat e menaxhmentit të AKM-së dhe shefit të Shtyllës IV të UNMIK-ut, për ndryshimin e procedurave të privatizimit.
Fajfër ka theksuar se amerikanët do të tërhiqen nga Kosova atëherë kur ajo do të mund të qëndrojë në këmbët e veta.
ECIKS / Radio Kosova