Shqipëria synon të rrisë rezervat e naftës

Tiranë, 27 tetor 2004 – Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Viktor Doda ka bërë të ditur se së shpejti do të bëhet një kërkesë ndaj kompanive që importojnë hidrokarbure që ata të rrisin rezervat e sigurisë. Në një debat që ka pasur ministri Doda gjatë ditës së djeshme në komisionin parlamentar të Industrisë, ka bërë të ditur se kërkesa (në formë vendimi) që po përgatitet në dikasterin që ai drejton dhe që shumë shpejt do të paraqitet në qeveri ka si qëllim stabilizimin e tregut në raste kur tendencat e çmimeve janë drejt rritjes. “Specialistët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës po përgatisin një vendim që ka si qëllim rritjen e rezervave të sigurisë, vendim që shumë shpejt do të shkojë për miratim në qeveri”, -tha ministri Doda, duke shtuar se “qëllimi i rritjes së rezervave të kompanive është që ato të mos përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme, por dhe për të ndikuar në tregun vendas”.

Rezervat
Sasia e naftës që ruajnë kompanitë importuese të naftës është e përcaktuar në ligj dhe rrjedhimisht përbën një detyrim ligjor për të gjitha subjektet tregtare që importojnë dhe tregtojnë me shumicë naftë dhe hidrokarbure të tjera. Kështu, në ligj përcaktohet që sasia e rezervës të jetë rreth 30 për qind e sasisë vjetore që shitet nga çdo subjekt. Përveç kësaj në ligj përcaktohen dhe rastet kur duhet të përdoren këto rezreva. Rezervat përdoren vetëm për ngjarjet e jashtëzakonshme, përmbytje apo ndërprerje furnizimi, thuhet në ligjin që përcakton përdorimn e tyre, por edhe në rastet kur ka krizë dhe rritje çmimesh, siç është situata aktuale kur çmimet e naftës kanë arritur nivelet më të larta.

ARMO
Përveç kërkesës për përdorimin e rezervave, ministri Viktor Doda ka bërë të ditur dje në komisionin parlamentar të Industrisë se kompania shtetërore e përpunimit të naftës ARMO përveç prodhimit do të rrisë importet me qëllim që të plotësojë nevojat e konsumatorëve shtetërorë dhe fermerëve me karburante. Sipas ministrit të Industrisë dhe Energjitikës, nafta e importuar nga kompania shtetërore ARMO do të ketë çmim më të ulët se tregu privat. Ministri i Industrisë ka shpjeguar para deputetëve të komisionit të Industrisë se ARMO ka një kapacitet prodhues prej rreth 100 mijë ton në vit dhe se me një vendim të qeverisë kjo kompani do të rrisë importet, pasi tregu i kësaj kompanie tashmë është i përcaktuar. “ARMO prodhon rreth 100 mijë ton naftë në vit dhe nuk mund të jetë faktori kryesor që të ndikojë në uljen e çmimit”, -tha Doda dje. ARMO furnizon një pjesë të enteve shtetërore, si dhe fermerët e disa zonave, duke e tregtuar me çmim më të ulur se tregu privat”. Aktualisht kompania e vetme shtetërore e përpunimit të naftës ka rreth 25 për qind të tregut. Lidhur me vendimin e qeverisë, Vitkor Doda ka bërë të ditur se ARMO po kërkon tregje të reja për të blerë naftë të lehtë, me qëllim përpunimin dhe tregtimin e saj me çmime konkurruese, në raport me tregtarët privatë, por edhe për të zgjeruar më shumë tregun e saj.

ECIKS / Shekulli