Tiranë, 2 shtator 2007 – Qeveria shqiptare do të detyrohet të subvencionojë deri në 5% të vlerës së produktit të sektorit bujqësor, sipas ligjit të ri që ka hartuar dhe përgatitur Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Për herë të parë, në 2007-ën bujqësia shqiptare, pas gati dy dekadash tranzicion, do të ketë ligjin e saj fondamental, atë për bujqësinë e zhvillimin rural.
Sipas këtij ligji, strukturat politikëbërëse dhe ato ekzekutive të shtetit detyrohen tashmë me ligj të adresojnë mbështetje financiare për bujqësinë, bazuar në standardet e përcaktuara në konferencat e njohura të bujqësisë botërore në Doha, Cancun dhe Hong-Kong. Ligji i ri i ushqimit, produkt po i vitit 2007, i cili ka marrë plotësisht mbështetjen e Brukselit, pritet të jetë në agjendën e Kuvendit të Shqipërisë në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ligj ky i cili do të hedhë bazat e standardeve të sigurisë ushqimore.
Po këtë vit, ministria
ka vënë përfundimisht kornizën më të rëndësishme ligjore lidhur me zhvillimin në terma afatmesme e afatgjatë të bujqësisë në vend. Bazuar në standardet evropiane, ka përfunduar tërësisht, pas një diskutimi të gjatë në të gjitha nivelet i tri strategjive që lidhen me zhvillimin e këtij sektori, strategjia sektoriale e bujqësisë, ajo ndërsektoriale e zhvillimit rural dhe strategjia e sigurisë.
Gazeta Express / ECIKS