Tiranë, 22 gusht 2007 – Sipas studimeve të bëra nga Banka Botërore, emigrantët shqiptarë përllogaritet se do të sjellin rreth 1.3 miliardë dollarë gjatë vitit 2007 në shtëpitë e tyre. Kjo shifër është e barabartë me 13.5 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) të Shqipërisë dhe e mjaftueshme për të financuar 50 për qind të deficitit tregtar që ka ky vend.
Të ardhurat nga emigrantët janë një nga burimet kryesore që financojnë ekonomitë e vendeve të varfra si Shqipëria. Gjatë vitit 2006, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, dërgesat e emigrantëve në rang botëror ose remitancat, siç njihen ndryshe, ishin rreth 276 miliardë dollarë. Por, vitet e fundit, shumë vende të zhvilluara, prej të cilave del pjesa dërrmuese e këtyre parave, nuk po e shohin me sy të mirë këtë fenomen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbën afro 44.1 miliardë dollarë për shkak se këto para u dërguan nga emigrantët që punojnë atje drejt vendeve të tyre të lindjes. Po kështu, edhe Zvicra, e cila gjatë vitit të kaluar pa të dilnin nga kufijtë e saj rreth 13.2 miliardë dollarë.
Disa prej qeverive të këtyre vendeve po mendojnë të hartojnë politika, të cilat do të kufizonin daljen e parasë jashtë kufijve të tyre, çka do të thoshte në fakt një ulje e dërgesave për vendet e varfra. Rasti i Shqipërisë është ndoshta nga më të veçantët, sepse dërgesat e emigrantëve përbëjnë mbi 13 për qind të BPV-së. Por, pak kohë më parë, gazeta greke “Ta Nea” bëri të ditur se emigrantët shqiptarë kanë edhe rreth 2.5 miliardë dollarë të tjera që i kanë depozituar në bankat greke, çka përbën afro 30 për qind të PBB-së sonë. Megjithatë, dërgesat vazhdojnë të mbeten në nivele të kënaqshme, teksa një në tri transaksionet e kryera në pasuritë e paluajtshme përfshin një emigrant.
ECIKS / Gazeta Express