Shqipëria mbizotërohet nga ekonomia informale

TIRANË, 12 NËNTOR 2003 – Shqiptarët mbi 30 për qind të transaksioneve i kryejnë me para xhepi, ndërkohë që edhe mbi 70 për qind e biznesmenëve detyrimet doganore i paguajnë me para në dorë ose “cash”. Këto shifra flasin hapur se biznesmenët shqiptarë preferojnë që të mos institucionalizojnë bizneset e tyre nëpërmjet bankave.

Niveli i lartë i ekonomisë informale ka bërë që paraja në qarkullim të arrijë në 122.1 miliardë lekë, duke penguar kështu zhvillimin e ekonomisë. Gjatë një seminari të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, shoqata e bankierëve, komuniteti i biznesit dhe nga institucione të tjera shtetërore, me temë: “Zëvendësimi i “cash”-it me mjete alternative pagese”, rezultoi se vetëm 1/3 e transaksioneve monetare kalojnë nëpërmjet sistemit bankar.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Arben Malaj, statistikat tregojnë se shqiptarët mbajnë rreth 20 për qind të të ardhurave të tyre vjetore në “cash” krahasuar me bullgarët të cilët mbajnë 11 për qind dhe maqedonasit që mbajnë rreth 7 për qind të të ardhurave. “Moskanalizimi i parave në sistemin bankar ka një ndikim negativ në rritjen ekonomike, në veçanti në nxitjen e investimeve në sektorët e prodhimit.

Paraja “cash” ndikon në frenimin e sektorit privat, duke reflektuar në mosfunksionimin efikas të sistemit të kreditimit, i cili përbën bërthamën e rritjes së akumulimit të kapitalit dhe zgjerimit të biznesit”, -pohon Malaj.

Ndërsa ministri i Financave, Kastriot Islami është shprehur se “kryerja e pagesave “cash” favorizon dhe mbulon evazionin fiskal, pengon krijimin e një imazhi të qartë e të plotë të zhvillimeve ekonomike brenda vendit, krijon mundësinë e krijimit, rritjes dhe lulëzimit të bizneseve me prejardhje të dyshimtë, apo të pastrimit të parave, si dhe nxit artificialisht kriminalitetin ordiner, kontrabandën e korrupsionin”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, ka deklaruar se legjislacioni aktual përcakton si detyrues pagesat në bankë për shuma mbi 1 milion lekë dhe Ministria e Financave do të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore që ky limit të ulet në 300 mijë lekë. Ndërkohë që bankat e nivelit të dytë morën angazhimin për reduktimin deri në eliminim të kostove për pagesat e brendshme dhe për të mos aplikuar kosto dyfishe për një pagese, si dhe që të hiqen kostot “incoming”.

Gjithashtu bankat do të bëjnë përpjekje dhe në drejtim të uljes së kostove që kanë lidhje me veprimet ndërbankare duke rritur bashkëpunimin ndërmjet tyre.

ECIKS / Shekulli