Shqipëria firmos Deklaratën e Rodosit

Tiranë, 4 prill 2005 – Shqipëria ka firmosur dje në Greqi Deklaratën e Rodosit, një dokument që synon të zhvillojë turizmin. “Në këtë deklaratë u vunë rekomandimet në fushën e një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit në rajon”-deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Turizmit dhe Rregullimit të Territorit. Ministri i kësaj të fundit ishte ai që firmosi dokumentin në emër të Shqipërisë.

Deklarata e Rodosit u hartua dhe nënshkrua pas takimit të Ministrave të Turizmit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Vendeve Anëtare të Detit të Zi (BSEC). “Takimi i këtij viti i 12 anëtarëve të kësaj organizate, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria, është zhvilluar nën presidencën greke. Në takimin e sivjetëm është diskutuar mbi rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare në fushën e turizmit, hartimin e projekteve të përbashkëta për zhvillimin dhe promovimin në tregje të huaja të formave të veçanta të turizmit, të cilat janë të përbashkëta për të gjithë zonën e BSEC-ut, si turizmi kulturor, fetar, kurativ, rural, bregdetar etj”, -tha zëdhënësja.

Sipas saj, Fino ka kërkuar që vendet e rajonit, në fushën e turizmit, të ishin më shumë bashkëpunëtorë sesa konkurrentë.

Vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi janë Republika e Shqipërisë, Republika e Armenisë, Republika e Azerbajxhanit, Republika e Bullgarisë, Gjerorgjisë, Republika Greke, Republika e Moldavisë, Rumanisë, Federatës Ruse, Serbisë dhe Malit të Zi, Republika e Turqisë dhe Ukraina.

ECIKS / Shekulli